Levitiku 14:1-57

  • Pastrimi nga lebra (1-32)

  • Pastrimi i shtëpive të infektuara (33-57)

14  Jehovai i tha akoma Moisiut:  «Ky do të jetë ligji që do të zbatohet për të lebrosurin ditën kur do të çohet te prifti që të shpallet i pastër.+  Prifti do të dalë jashtë kampit dhe do ta ekzaminojë personin. Nëse i lebrosuri është shëruar nga lebra,  prifti do ta urdhërojë të marrë për pastrimin e tij dy zogj të pastër, dru cedri, copë në të kuqe të ndezur dhe bimë hisopi.+  Prifti do të japë urdhër që njëri nga zogjtë të theret në një enë balte me ujë burimi.  Kurse zogun e gjallë, prifti do ta marrë bashkë me drurin e cedrit, copën në të kuqe të ndezur dhe hisopin e do t’i zhytë në gjakun e zogut të therur në enën me ujë burimi.  Me gjakun do të spërkatë shtatë herë personin e paraqitur për pastrimin nga lebra dhe do ta shpallë të pastër. Më pas, zogun e gjallë do ta lërë të lirë në fushë.+  Personi i paraqitur për pastrimin duhet të lajë rrobat, të rruhet komplet dhe të lahet me ujë, e kështu do të jetë i pastër. Pas kësaj mund të hyjë në kamp, por nuk do të futet në tendën e vet për shtatë ditë.  Ditën e shtatë duhet të rruajë kokën, mjekrën dhe vetullat. Pasi të jetë rruar komplet, do të lajë rrobat dhe do të lahet me ujë, e kështu do të jetë i pastër. 10  Ditën e tetë do të marrë dy qengja meshkuj të shëndetshëm, një qengj femër të shëndetshëm+ e njëvjeçar,* tri të dhjetat e një efe* mielli të bluar imët të përzier me vaj si blatim në drithë+ dhe një masë log* vaj.+ 11  Prifti që e shpall të pastër do ta paraqitë personin që po pastrohet, bashkë me blatimet e tij, para Jehovait në hyrje të tendës së takimit. 12  Prifti do të marrë njërin nga qengjat meshkuj dhe do ta paraqitë si blatim për fajin+ bashkë me logun e vajit, e do t’i tundë nga njëra anë në tjetrën si blatim të tundur para Jehovait.+ 13  Pastaj do ta therë qengjin atje ku theren zakonisht blatimet për mëkatin dhe blatimet e djegura;+ do ta therë në një vend të shenjtë, sepse blatimi për fajin i takon priftit, ashtu si blatimi për mëkatin.+ Është një gjë shumë e shenjtë.+ 14  Prifti do të marrë ca nga gjaku i blatimit për fajin dhe do t’ia vërë personit të paraqitur për pastrimin në llapën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë. 15  Prifti do të marrë ca nga logu i vajit,+ do ta hedhë në dorën e vet të majtë, 16  do ta ngjyejë gishtin e dorës së djathtë në vajin që ka në dorën e majtë dhe me të do të spërkatë shtatë herë tokën para Jehovait. 17  Ca nga pjesa tjetër e vajit që ka në dorë, prifti do t’ia vërë personit të paraqitur për pastrimin në llapën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë, sipër gjakut të blatimit për fajin. 18  Vajin që i mbetet në dorë, prifti do t’ia vërë mbi kokë personit të paraqitur për pastrimin dhe do të bëjë shlyerjen për të para Jehovait.+ 19  Prifti do të flijojë blatimin për mëkatin,+ do të bëjë shlyerjen për personin e paraqitur për pastrimin, dhe më pas do të therë blatimin e djegur. 20  Blatimin e djegur dhe blatimin në drithë,+ do t’i paraqitë në altar e do të bëjë shlyerjen për personin,+ e kështu ai do të jetë i pastër.+ 21  Por, nëse është i varfër dhe nuk i ka mundësitë, do të marrë një qengj mashkull si blatim për fajin e do ta paraqitë si blatim të tundur që të bëhet shlyerja për të, bashkë me një të dhjetën e një efe* mielli të bluar imët të përzier me vaj si blatim në drithë, një log vaj 22  dhe dy turtuj ose dy zogj pëllumbash, sipas mundësisë, njërin si blatim për mëkatin dhe tjetrin si blatim të djegur.+ 23  Ditën e tetë+ do t’ia çojë priftit para Jehovait në hyrje të tendës së takimit, që të shpallet i pastër.+ 24  Prifti do të marrë qengjin mashkull të blatimit për fajin+ dhe logun e vajit e do t’i tundë nga njëra anë në tjetrën si blatim të tundur para Jehovait.+ 25  Pastaj do ta therë qengjin e blatimit për fajin, do të marrë ca nga gjaku i këtij blatimi e do t’ia vërë personit të paraqitur për pastrimin në llapën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë.+ 26  Prifti do të hedhë ca vaj në dorën e vet të majtë+ 27  dhe me gishtin e dorës së djathtë, me ca nga vaji që ka në dorën e majtë, do të spërkatë shtatë herë tokën para Jehovait. 28  Ca nga vaji që ka në dorë, prifti do t’ia vërë personit të paraqitur për pastrimin në llapën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë, në të njëjtat vende që vuri gjakun e blatimit për fajin. 29  Vajin që i mbetet në dorë, prifti do t’ia vërë mbi kokë personit të paraqitur për pastrimin, që të bëjë shlyerjen për të para Jehovait. 30  Më pas prifti do të paraqitë njërin nga turtujt ose njërin nga zogjtë e pëllumbave, sipas mundësisë së personit,+ 31  pra, atë që mund të përballojë, si blatim për mëkatin dhe tjetrin si blatim të djegur,+ bashkë me blatimin në drithë. Pastaj prifti do të bëjë shlyerjen para Jehovait për personin e paraqitur për pastrimin.+ 32  Ky është ligji për atë që ka sëmundjen e lebrës, por që nuk i ka mundësitë të sjellë atë që kërkohet për t’u shpallur i pastër.» 33  Më pas Jehovai i tha Moisiut dhe Aronit: 34  «Kur të hyni në vendin e Kananit+ që po ju jap si pronë,+ dhe unë të lejoj që ndonjë nga shtëpitë e vendit tuaj të infektohet me sëmundjen e lebrës,+ 35  i zoti i shtëpisë do të vijë t’i thotë priftit: ‘Në shtëpinë time është shfaqur një lloj infektimi.’ 36  Pastaj prifti do të urdhërojë që shtëpia të boshatiset para se të hyjë për të ekzaminuar vendin e infektuar, që të mos shpallë të papastër gjithçka që është në shtëpi; pas kësaj prifti do të hyjë për të inspektuar shtëpinë. 37  Ai do ta ekzaminojë vendin e infektuar: nëse muret e shtëpisë kanë vende të ngrëna në ngjyrë të gjelbër në të verdhë ose në të kuqe dhe që duket se shkojnë thellë në mur, 38  prifti do të dalë përjashta e do të shkojë te hyrja e shtëpisë dhe do ta vërë shtëpinë në karantinë për shtatë ditë.+ 39  Pastaj prifti do të kthehet përsëri ditën e shtatë për të inspektuar shtëpinë. Nëse infektimi është përhapur nëpër muret e shtëpisë, 40  ai do të urdhërojë që të hiqen gurët e infektuar e të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit. 41  Do të urdhërojë që e gjithë shtëpia të gërryhet nga brenda, dhe llaçi e suvaja që hiqen, të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit. 42  Pastaj do të marrin gurë të tjerë e do t’i vënë në vend të atyre që hoqën duke përdorur llaç tjetër dhe do të suvatojnë shtëpinë. 43  Por nëse infektimi rishfaqet në shtëpi, pasi të jenë hequr gurët dhe pasi shtëpia të jetë gërryer e suvatuar, 44  atëherë prifti do të hyjë për ta inspektuar. Nëse infektimi është përhapur, shtëpia ka lebër ngjitëse;+ ajo është e papastër. 45  Ai do të urdhërojë që shtëpia të shembet, dhe gurët, trarët, tërë suvaja e llaçi të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit.+ 46  Por kush hyn në atë shtëpi gjatë ditëve që ajo është në karantinë,+ do të jetë i papastër deri në mbrëmje.+ 47  Kush shtrihet në atë shtëpi, duhet të lajë rrobat dhe kush ha në atë shtëpi, duhet të lajë rrobat. 48  Por nëse prifti vjen dhe sheh që infektimi nuk është përhapur nëpër shtëpi pas suvatimit, ai do ta shpallë shtëpinë të pastër, sepse infektimi është zhdukur. 49  Për ta pastruar shtëpinë nga papastërtia,* ai do të marrë dy zogj, dru cedri, copë në të kuqe të ndezur dhe hisop.+ 50  Njërin nga zogjtë do ta therë në një enë balte me ujë burimi. 51  Pastaj do të marrë drurin e cedrit, hisopin, copën në të kuqe të ndezur dhe zogun e gjallë e do t’i zhytë në gjakun e zogut të therur në enën me ujë burimi, dhe këtë gjak duhet ta spërkatë shtatë herë në drejtim të shtëpisë.+ 52  Do ta pastrojë shtëpinë nga papastërtia* me gjakun e zogut, me ujin e burimit, me zogun e gjallë, me drurin e cedrit, me hisopin dhe me copën në të kuqe të ndezur. 53  Zogun e gjallë do ta lërë të lirë në fushë, jashtë qytetit, dhe do të bëjë shlyerjen për shtëpinë, e kështu ajo do të jetë e pastër. 54  Ky është ligji për çdo rast lebre, infeksione të lëkurës së kokës ose të mjekrës,+ 55  lebrën e rrobave+ ose të shtëpisë,+ 56  ënjtjen e një pjese të lëkurës, dregëzat dhe njollat,+ 57  që të përcaktohet kur diçka është e papastër ose e pastër.+ Ky është ligji për lebrën.»+

Shënime në fund të faqes

Ose «motak».
Tri të dhjetat e një efe ishin 6,6 l. Shih Shtojcën B14.
Një log ishte 0,31 l. Shih Shtojcën B14.
Një e dhjeta e një efe ishte 2,2 l. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «mëkati».
Fjalë për fjalë «mëkati».