Sipas Gjonit 9:1-41

  • Jezui shëron një njeri të verbër që nga lindja (1-12)

  • Farisenjtë marrin në pyetje njeriun që u shërua (13-34)

  • Verbëria e farisenjve (35-41)

9  Kur po ecte rrugës, Jezui pa një njeri të verbër që nga lindja  dhe dishepujt e pyetën: «Rabi,+ kush mëkatoi, ai apo prindërit e tij, që lindi i verbër?»  Jezui u përgjigj: «Nuk mëkatoi as ky, as prindërit e tij, por falë këtij rasti mund të duken qartë veprat e Perëndisë.+  Duhen bërë veprat e Atij që më dërgoi sa është ditë,+ sepse po vjen nata kur askush nuk mund të punojë.  Për sa kohë jam në botë, unë jam drita e botës.»+  Pasi tha këto fjalë, pështyu përtokë, bëri pastë prej balte me pështymën, ia leu sytë atij njeriu+  dhe i tha: «Shko lahu në rezervuarin e Siloamit», (që përkthehet ‘i dërguar’). E kështu ai iku, u la dhe, kur u kthye, shikonte.+  Pastaj fqinjët dhe ata që e kishin parë ditë për ditë të lypte, nisën të thoshin: «A nuk është ky ai që rrinte e lypte?»  Disa thoshin: «Po, ai është.» Të tjerë thoshin: «Jo, thjesht i ngjan.» Ai ngulte këmbë: «Unë jam.» 10  Prandaj e pyetën: «Po si t’u hapën sytë atëherë?» 11  Ai u përgjigj: «Njeriu që quhet Jezu, bëri një pastë me baltë, m’i leu sytë me të dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu.’+ Kështu shkova, u lava dhe më erdhën sytë.» 12  Dhe ata e pyetën: «Ku është ai njeri?» Ai u përgjigj: «Nuk e di.» 13  Ata e çuan te farisenjtë njeriun që kishte qenë i verbër. 14  Meqë ra fjala, ditën që Jezui bëri pastën me baltë dhe i hapi sytë të verbrit,+ ishte Sabat.+ 15  Për këtë arsye edhe farisenjtë e pyetën si i erdhën sytë. Ai u tha: «Më vuri mbi sy një pastë prej balte, u lava dhe shoh.» 16  Disa farisenj filluan të thoshin: «Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e mban Sabatin.»+ Të tjerë thoshin: «E si mund të kryejë shenja* si këto një mëkatar?!»+ Kështu ata u përçanë.+ 17  Ata e pyetën përsëri të verbrin: «Po ti, çfarë thua për të, sepse ty t’i hapi sytë?» Ai u përgjigj: «Ai është profet.» 18  Megjithatë judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se i kishin ardhur sytë derisa thirrën prindërit e tij. 19  Ata i pyetën: «A është ky djali juaj, për të cilin thoni se ka lindur i verbër? Si vallë sheh tani?» 20  Prindërit u përgjigjën: «E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër. 21  Por se si shikon tani, nuk e dimë, dhe as kush ia hapi sytë, nuk e dimë. Pyeteni vetë. Ai është i rritur. Duhet të përgjigjet vetë.» 22  Thanë kështu sepse kishin frikë nga judenjtë,+ të cilët kishin rënë dakord tashmë që të përjashtonin nga sinagoga këdo që pranonte se ai ishte Krishti.+ 23  Ja pse prindërit e tij thanë: «Ai është i rritur. Pyeteni vetë.» 24  Prandaj e thirrën për herë të dytë njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë. Ne e dimë se ai njeri është mëkatar.» 25  Ai iu përgjigj: «Në është mëkatar, nuk e di, por një gjë e di: isha i verbër dhe tani shikoj.» 26  Atëherë ata e pyetën: «Ç’të bëri? Si t’i hapi sytë?» 27  Ai iu përgjigj: «Jua thashë një herë, e megjithatë ju nuk dëgjuat. Pse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?» 28  Kështu ata i thanë gjithë përbuzje: «Ti je dishepull i tij, kurse ne jemi dishepuj të Moisiut. 29  Ne e dimë që Perëndia i ka folur Moisiut, kurse për këtë njeri, nuk e dimë nga është.» 30  Ai u tha: «Çudi! Si nuk e dini nga është kur pikërisht ai m’i hapi sytë?! 31  Ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët,+ por, nëse dikush e nderon thellësisht Perëndinë* dhe bën vullnetin e tij, ai e dëgjon.+ 32  Që nga lashtësia nuk është dëgjuar kurrë që ndokush të ketë hapur sytë e një njeriu që ka lindur i verbër. 33  Po të mos ishte nga Perëndia, ky njeri nuk do të bënte dot asgjë.»+ 34  Ata ia kthyen: «Ti ke lindur gjithë mëkate, e po na mësoke ne?!» Dhe e flakën jashtë.*+ 35  Jezui e mori vesh se e kishin flakur jashtë dhe, me ta gjetur, e pyeti: «A ke besim te Biri i njeriut?» 36  Ai iu përgjigj: «E kush është, imzot, që unë të besoj tek ai?» 37  Jezui i tha: «Ti e ke parë dhe është pikërisht ai që po të flet.» 38  Ai i tha: «Unë besoj vërtet tek ai, Zotëri.» Dhe i bëri nderime.* 39  Pastaj Jezui i tha: «Unë erdha në botë që bota të gjykohet, e kështu ata që nuk shohin, të shohin,+ dhe ata që shohin, të verbohen.»+ 40  Farisenjtë që ishin të pranishëm, i dëgjuan këto fjalë dhe e pyetën: «Mos jemi edhe ne të verbër?» 41  Jezui u tha: «Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat. Por meqë thoni: ‘Ne shohim’, mëkatet tuaja mbeten te ju.»+

Shënime në fund të faqes

Ose «mrekulli».
Fjalë për fjalë «i frikësohet Perëndisë». Shih Fjalorthin.
Me sa duket e përjashtuan nga sinagoga.
Ose «u përkul para tij».