Ezekieli 48:1-35

  • Ndarja e vendit (1-29)

  • 12 portat e qytetit (30-35)

    • Qyteti quhet «Jehovai Është Atje» (35)

48  Këta janë emrat e fiseve duke nisur nga skaji verior: pjesa e Danit+ kalon përgjatë rrugës nga Hethloni në Lebo-Hamath*+ e deri në Hazar-Enan, në kufi me Damaskun në veri, pranë Hamathit;+ ajo shtrihet nga kufiri lindor deri në atë perëndimor.  Pjesa e Asherit+ është në kufi me Danin, nga kufiri lindor në atë perëndimor.  Pjesa e Neftalit+ është në kufi me Asherin, nga kufiri lindor në atë perëndimor.  Pjesa e Manaseut+ është në kufi me Neftalin, nga kufiri lindor në atë perëndimor.  Pjesa e Efraimit është në kufi me Manaseun,+ nga kufiri lindor në atë perëndimor.  Pjesa e Rubenit është në kufi me Efraimin,+ nga kufiri lindor në atë perëndimor.  Pjesa e Judës është në kufi me Rubenin,+ nga kufiri lindor në atë perëndimor.  Në kufi me Judën, nga kufiri lindor në atë perëndimor, do të jetë kontributi që do të vini mënjanë; ai duhet të jetë 25.000 kute i gjerë*+ dhe gjatësia e tij, nga lindja në perëndim, do të përkojë me gjatësinë e pjesëve të fiseve fqinje. Në mes të tij do të jetë shenjtërorja.  Kontributi që do të vini mënjanë për Jehovain do të jetë 25.000 kute i gjatë dhe 10.000 kute i gjerë. 10  Ky, pra, do të jetë kontributi i shenjtë për priftërinjtë.+ Do të jetë 25.000 kute në veri, 10.000 kute në perëndim, 10.000 kute në lindje dhe 25.000 kute në jug. Në mes të tij do të jetë shenjtërorja e Jehovait. 11  Ai do të jetë për priftërinjtë e shenjtëruar ndër bijtë e Sadokut,+ të cilët i përmbushën përgjegjësitë që kishin ndaj meje dhe nuk u larguan nga unë kur izraelitët dhe levitët u larguan.+ 12  Pjesa e tyre do të merret nga kontributi i vendit të vënë mënjanë si një gjë shumë e shenjtë dhe do të jetë në kufi me levitët. 13  Në veri të pjesës së priftërinjve do të jetë pjesa e levitëve, me përmasa 25.000 kute e gjatë dhe 10.000 kute e gjerë. (Tërë gjatësia do të jetë 25.000 kute dhe gjerësia 10.000 kute.) 14  Ata nuk duhet të shesin, të këmbejnë a t’u kalojnë të tjerëve asnjë copë tokë nga kjo pjesë e zgjedhur e vendit, sepse ajo është e shenjtë për Jehovain. 15  Pjesa që mbetet në jug prej 5.000 kutesh gjerësi përgjatë kufirit prej 25.000 kutesh, do të jetë për qytetin;+ ajo do të jetë për përdorim të zakonshëm, pra, për banesa dhe kullota. Qyteti do të jetë në mes të saj.+ 16  Përmasat e qytetit janë: kufiri verior 4.500 kute, kufiri jugor 4.500 kute, kufiri lindor 4.500 kute dhe kufiri perëndimor 4.500 kute. 17  Tokat për kullotë të qytetit do të jenë: 250 kute në veri, 250 kute në jug, 250 kute në lindje dhe 250 kute në perëndim. 18  Ajo që mbetet nga gjatësia e kësaj pjese, do të përkojë me kontributin e shenjtë,+ 10.000 kute në lindje të qytetit dhe 10.000 kute në perëndim të tij. Ajo do të përkojë me kontributin e shenjtë, dhe prodhimi i saj do të sigurojë ushqim për ata që shërbejnë në qytet. 19  Ajo do të kultivohet nga ata që shërbejnë në qytet, të cilët janë nga të gjitha fiset e Izraelit.+ 20  Në tërësi kontributi është 25.000 kute me 25.000 kute. Ju duhet ta vini këtë mënjanë si kontribut të shenjtë, duke përfshirë qytetin dhe pronën e tij. 21  Ajo që mbetet në të dyja anët e kontributit të shenjtë dhe pronës së qytetit, do të jetë për prijësin.+ Ajo do të jetë përbri kufijve prej 25.000 kutesh, në lindje dhe në perëndim të kontributit. Do të ketë kufi të përbashkët me pjesët fqinje dhe do t’i përkasë prijësit; pra, kontributi i shenjtë dhe shenjtërorja e tempullit do të jenë në mes të pjesës së prijësit. 22  Edhe prona e levitëve dhe prona e qytetit do të jenë në mes të pjesës që i përket prijësit. Pjesa e prijësit do të jetë midis kufirit të Judës+ dhe kufirit të Beniaminit. 23  Për sa i përket pjesës tjetër të fiseve, pjesa e Beniaminit është nga kufiri lindor deri në atë perëndimor.+ 24  Pjesa e Simeonit është afër kufirit të Beniaminit,+ nga kufiri lindor në atë perëndimor. 25  Pjesa e Isaharit+ është afër kufirit të Simeonit, nga kufiri lindor në atë perëndimor. 26  Pjesa e Zabulonit është afër kufirit të Isaharit,+ nga kufiri lindor në atë perëndimor.+ 27  Pjesa e Gadit është afër kufirit të Zabulonit,+ nga kufiri lindor në atë perëndimor. 28  Kufiri jugor, afër territorit të Gadit, do të kalojë nga Tamara+ deri në ujërat e Meribat-Kadeshit,+ pastaj përgjatë Vadit*+ deri në Detin e Madh.* 29  Ky është vendi që duhet t’u ndani si trashëgimi fiseve të Izraelit,+ dhe këto do të jenë pjesët e tyre,+​—thotë Zotëria Sovran Jehova. 30  Qyteti do të ketë disa hyrje-dalje. Kufiri verior do të jetë 4.500 kute.+ 31  Portat e qytetit do të mbajnë emrat e fiseve të Izraelit. Në veri do të ketë tri porta: një portë për Rubenin, një për Judën dhe një për Levin. 32  Kufiri lindor do të jetë 4.500 kute dhe do të ketë tri porta: një portë për Jozefin, një për Beniaminin dhe një për Danin. 33  Kufiri jugor do të jetë 4.500 kute dhe do të ketë tri porta: një portë për Simeonin, një për Isaharin dhe një për Zabulonin. 34  Kufiri perëndimor do të jetë 4.500 kute dhe do të ketë tri porta: një portë për Gadin, një për Asherin dhe një për Neftalin. 35  Perimetri i qytetit do të jetë 18.000 kute. Që prej asaj dite, qyteti do të quhet: Jehovai Është Atje.»*+

Shënime në fund të faqes

Ose «në hyrje të Hamathit».
I referohet kutit të gjatë. Shih Shtojcën B14.
Domethënë, vadit të Egjiptit. Shih Fjalorthin.
Domethënë, në Mesdhe.
Ose «Jehova-Shammah».