Ezekieli 43:1-27

  • Lavdia e Jehovait mbush tempullin (1-12)

  • Altari (13-27)

43  Pastaj më çoi te porta që është në drejtim të lindjes.+  Atje pashë lavdinë e Perëndisë së Izraelit të vinte nga lindja;+ zëri i tij ngjante si gurgullima e ujërave vërshuese+ dhe toka shndriti nga lavdia e tij.+  Ajo që pashë, ngjante me vegimin* që kisha parë kur erdha* për të shkatërruar* qytetin, si vegimi që kisha parë pranë lumit Kebar.+ Atëherë u përkula me fytyrë përtokë.  Pastaj lavdia e Jehovait hyri në tempull* nga porta që është në drejtim të lindjes.+  Një frymë* më ngriti e më çoi në oborrin e brendshëm dhe atje pashë tempullin të mbushur me lavdinë e Jehovait.+  Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, dhe ai burrë erdhi e ndenji pranë meje.+  Perëndia më tha: «Bir njeriu, ky është vendi i fronit tim,+ vendi i këmbëve të mia,+ ku unë do të banoj mes popullit të Izraelit përgjithmonë.+ As shtëpia e Izraelit dhe as mbretërit e saj nuk do ta përdhosin më emrin tim të shenjtë+ me tradhtitë e tyre* dhe me kufomat e mbretërve të tyre.*  Nuk do ta përdhosin më duke e vënë pragun e tyre përbri pragut tim dhe shtalkën* e tyre afër shtalkës sime, me vetëm një mur mes meje dhe tyre.+ Ata e përdhosën emrin tim të shenjtë me gjërat e neveritshme që bënë, prandaj i shfarosa gjithë zemërim.+  Tani, t’i largojnë nga unë tradhtitë dhe kufomat e mbretërve të tyre! Atëherë, unë do të banoj mes tyre përgjithmonë.+ 10  Sa për ty, o bir njeriu, përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit,+ që t’u vijë turp për fajet e tyre;+ ata duhet ta shqyrtojnë me kujdes planimetrinë e tij.* 11  Nëse u vjen turp për tërë ato që kanë bërë, tregoju projektin e tempullit: planimetrinë, hyrjet dhe daljet e tij.+ Tregoju tërë projektin dhe statutet e tij, po, tërë projektin dhe ligjet e tij. Hidhi ato me shkrim para syve të tyre, që ta njohin mirë tërë projektin e tij dhe të zbatojnë statutet e tij.+ 12  Ky është ligji i tempullit: gjithë territori rreth e qark majës së malit, është shumë i shenjtë.+ Ja, ky është ligji i tempullit. 13  Këto janë përmasat e altarit në kut+ (për çdo kut shtoheshin katër gisht).* Baza është një kut e lartë; ajo ka një pjesë të dalë një kut të gjerë dhe një bordurë rreth e qark një pëllëmbë* të ngritur. Kjo është baza e altarit. 14  Nga baza e altarit, që mbështetet në dysheme, deri te platforma e vogël janë dy kute lartësi; platforma ka një pjesë të dalë një kut të gjerë. Nga platforma e vogël deri te platforma e madhe janë katër kute lartësi; edhe kjo platformë ka një pjesë të dalë një kut të gjerë. 15  Vatra e altarit është katër kute e lartë dhe në katër qoshet e saj dalin katër brirë.+ 16  Ajo është katrore, me gjatësi dhe gjerësi 12 kute.+ 17  Platforma e madhe është 14 kute e gjatë dhe 14 kute e gjerë, dhe rreth e qark ka një bordurë të ngritur prej gjysmë kuti; edhe baza e altarit ka një pjesë të dalë një kut të gjerë rreth e qark. Shkallët e altarit janë me drejtim nga lindja.» 18  Pastaj ai më tha: «Bir njeriu, kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Këto janë udhëzimet që do të ndiqen kur të ndërtohet altari, me qëllim që të flijohen blatime të plota të djegura në të dhe të spërkatet gjak.+ 19  Jepu priftërinjve levitë, pasardhësve të Sadokut+ që më afrohen për të më shërbyer, një dem të ri nga tufa për blatimin e mëkatit,+​—thotë Zotëria Sovran Jehova. 20  Merr pak nga gjaku i tij dhe lyej me të katër brirët e altarit, katër qoshet e platformës së madhe dhe bordurën rreth e qark; kështu do ta pastrosh nga mëkati dhe do të bësh shlyerjen për të.+ 21  Pastaj merr demin e ri, blatimin për mëkatin, që të digjet në vendin e caktuar të tempullit, jashtë shenjtërores.+ 22  Ditën tjetër, pra, ditën e dytë, do të flijosh një kec mashkull të shëndetshëm si blatim për mëkatin. Me të do të pastrohet altari nga mëkati, siç u pastrua me demin e ri. 23  Kur të përfundosh pastrimin nga mëkati, do të flijosh një dem të ri e të shëndetshëm nga tufa dhe një dash të shëndetshëm nga kopeja. 24  Paraqitja Jehovait, dhe priftërinjtë të hedhin mbi ta kripë+ e t’i flijojnë për Jehovain si blatime të plota të djegura. 25  Për shtatë ditë me radhë do të flijosh nga një cjap si blatim për mëkatin,+ si edhe një dem të ri nga tufa dhe një dash nga kopeja; do të flijosh kafshë pa asnjë të metë.* 26  Për shtatë ditë me radhë do të bëjnë shlyerjen për altarin; ata duhet ta pastrojnë e ta përurojnë. 27  Pasi të kenë mbaruar këto ditë, ditën e tetë+ e më pas, priftërinjtë do të paraqitin mbi altar blatimet tuaja* të plota e të djegura dhe flijimet tuaja në bashkësi, dhe unë do të kënaqem me ju’,+​—thotë Zotëria Sovran Jehova.»

Shënime në fund të faqes

Një mundësi tjetër «kur erdhi ai».
Ka të ngjarë t’i referohet parathënies së shkatërrimit të tij.
Fjalë për fjalë «në shtëpi».
Një mundësi tjetër «Fryma e Perëndisë». Shih Fjalorthin.
Ose «me sjelljen e tyre prej prostitute». Kjo është një shprehje e figurshme. Shih Fjalorthin, «Prostitutë».
Ka mundësi të ishin idhuj që i konsideronin si mbretër.
Domethënë, kornizën e derës.
Fjalë për fjalë «ta matin modelin e tij».
I referohet kutit të gjatë. Shih Shtojcën B14.
Rreth 22,2 cm. Shih Shtojcën B14.
Ose «të përsosura».
Domethënë, blatimet e popullit.