Ezekieli 4:1-17

  • Portretizohet rrethimi i Jerusalemit (1-17)

    • Ezekieli mban fajin për 390 ditë dhe 40 ditë (4-7)

4  Ti, o bir njeriu, merr një tullë, vëre përpara dhe gdhend në të një qytet, pra, Jerusalemin.  Pastaj rrethoje:+ ndërto një mur+ dhe një ledh rrethues,+ ngri kampe kundër tij dhe vëri disa desh* rreth e qark.+  Merr një pllakë hekuri, vendose si mur hekuri mes teje e qytetit dhe pastaj kthehu me fytyrë nga qyteti e mos ia ndaj sytë; kështu do të tregosh si do të rrethohet qyteti. Kjo do të jetë një shenjë për shtëpinë e Izraelit.+  Pastaj shtrihu në krahun e majtë dhe mbaj mbi vete* fajin e shtëpisë së Izraelit.+ Ti do ta mbash fajin e tyre për sa ditë të rrish shtrirë në atë krah.  Këtë duhet ta bësh për 390 ditë, që përkojnë me vitet e fajit të tyre,+ gjatë të cilave do të mbash fajin e shtëpisë së Izraelit.  Plotësoji të gjitha ditët. Pastaj, herën e dytë do të shtrihesh në krahun e djathtë dhe do të mbash fajin e shtëpisë së Judës+ për 40 ditë. Të kam caktuar një ditë për një vit, një ditë për një vit.  Ktheje fytyrën nga Jerusalemi i rrethuar+ dhe, me krahun të përveshur, profetizo kundër tij.  Unë do të të lidh me litarë, që të mos kthehesh nga njëri krah në tjetrin, derisa të kesh plotësuar ditët që do të rrethosh qytetin.  Merr grurë, elb, bathë, thjerrëza, mel dhe speltë,* vëri në një enë dhe bëj me to bukë. Për sa ditë të rrish i shtrirë në krah, domethënë për 390 ditë, duhet të hash nga kjo bukë.+ 10  Do ta peshosh ushqimin që do të hash: do të hash 20 sikla* në ditë, në orare të caktuara. 11  Edhe ujin do ta pish me masë: do të pish një të gjashtën e hinit,* në orare të caktuara. 12  Do ta hash atë bukë si të ishte bukë e rrumbullakët elbi; do ta pjekësh para syve të tyre mbi një zjarr prej jashtëqitjesh të thara njeriu.» 13  Jehovai vazhdoi: «Po kaq e papastër do të jetë buka që do të hanë izraelitët mes kombeve ku do t’i shpërndaj.»+ 14  Atëherë unë thashë: «Oh jo, Zotëri Sovran Jehova, jo këtë! Që në rini e deri tani nuk jam ndotur duke ngrënë ndonjë kafshë të ngordhur a të shqyer+ dhe nuk kam futur në gojë asnjë lloj mishi të papastër.»+ 15  Prandaj ai më tha: «Dakord, në vend të jashtëqitjes së njeriut, mund të përdorësh pleh gjedhësh dhe do ta pjekësh bukën tënde mbi të.» 16  Pastaj vazhdoi: «Bir njeriu, unë do t’i pakësoj rezervat e ushqimit* në Jerusalem;+ ata do ta hanë plot ankth racionin e caktuar të bukës+ dhe do ta pinë të llahtarisur racionin e caktuar të ujit.+ 17  Ata do ta shohin njëri-tjetrin të tronditur nga mungesa e bukës dhe e ujit, dhe do të treten për shkak të fajit të tyre.

Shënime në fund të faqes

Mjet lufte që përdorej për të shpuar muret a për të shpërthyer portat e një qyteti.
Fjalë për fjalë «në të», pra, në krahun e majtë të Ezekielit.
Rreth 230 g. Shih Shtojcën B14.
Rreth 0,6 l. Shih Shtojcën B14.
Fjalë për fjalë «do t’i thyej shkopinjtë e bukës». Mund t’u referohet shkopinjve që përdoreshin për të mbajtur bukën.