Ezekieli 37:1-28

  • Vegimi për luginën e eshtrave të thata (1-14)

  • Dy shkopinj do të bashkohen (15-28)

    • Një komb nën një mbret (22)

    • Një besëlidhje e përjetshme paqeje (26)

37  Fuqia* e Jehovait veproi tek unë dhe, nëpërmjet frymës së tij, Jehovai më mori e më vuri në mes të një lugine*+ që ishte plot me eshtra.  Pastaj më vuri të kaloja nëpër gjithë luginën, mes për mes eshtrave, dhe pashë që lugina ishte mbushur plot me eshtra shumë të thata.+  Ai më pyeti: «Bir njeriu, a mund të kthehen në jetë këto eshtra?» Unë iu përgjigja: «Vetëm ti e di, o Zotëri Sovran Jehova.»+  Atëherë ai më tha: «Profetizo për këto eshtra dhe thuaju: “O eshtra të thata, dëgjoni çfarë thotë Jehovai!  Kështu u thotë Zotëria Sovran Jehova këtyre eshtrave: ‘Ja, unë do ju jap frymë,* dhe ju do të ktheheni në jetë.+  Do t’ju shtoj deje dhe mish, do t’ju vesh me lëkurë e do t’ju jap frymë,* dhe ju do të ktheheni në jetë. Atëherë keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.’”»  Kështu unë profetizova si më urdhëroi ai. Sapo profetizova, filloi të dëgjohej një zhurmë, një kërcëllimë, dhe eshtrat filluan të lidheshin me njëra-tjetrën, eshtra me eshtrën.  Pastaj pashë që ato u lidhën me deje, u mbushën me mish dhe u veshën me lëkurë, por ende nuk kishin frymë.*  Ai më tha prapë: «Profetizoji erës. Profetizo, o bir njeriu, dhe thuaji erës: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Eja, o erë,* nga të katër anët,* dhe fry mbi këta të vrarë, që të kthehen në jetë.’”» 10  Kështu unë profetizova si më urdhëroi ai, dhe fryma* hyri në ta. Ata filluan të jetonin, u ngritën në këmbë+ dhe u bënë një ushtri jashtëzakonisht e madhe. 11  Ai më tha akoma: «Bir njeriu, këto eshtra janë tërë shtëpia e Izraelit.+ Ata po thonë: ‘Eshtrat tona janë tharë, s’kemi më kurrfarë shprese,+ po, kemi marrë fund.’ 12  Prandaj profetizo dhe thuaju: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do t’i hap varret tuaja,+ do t’ju nxjerr që andej, o populli im, dhe do t’ju çoj në vendin e Izraelit.+ 13  E kur t’i hap varret tuaja dhe t’ju nxjerr prej tyre, o populli im, ju keni për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.+ 14  Unë do t’ju jap frymën time, dhe ju do të ktheheni në jetë;+ unë do t’ju vë të banoni në vendin tuaj. Atëherë keni për ta marrë vesh se unë, Jehovai, kam folur dhe e kam bërë këtë’,​—thotë Jehovai.”» 15  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 16  «O bir njeriu, merr një shkop dhe shkruaj në të: ‘Për Judën dhe për popullin e Izraelit që është me të.’*+ Pastaj merr një shkop tjetër dhe shkruaj në të: ‘Për Jozefin, shkopin e Efraimit, dhe për tërë shtëpinë e Izraelit që është me të.’*+ 17  Më pas afroji me njëri-tjetrin, që të formojnë një shkop të vetëm në dorën tënde.+ 18  Kur populli yt* të të thotë: ‘A nuk do të na tregosh çfarë kuptimi kanë këto gjëra?’, 19  ti thuaju: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do të marr shkopin e Jozefit që është në dorën e Efraimit, dhe fiset e Izraelit që janë me të, e do t’i bashkoj me shkopin e Judës. Unë do t’i bëj një shkop të vetëm,+ dhe ata do të bëhen një i vetëm në dorën time.’” 20  Shkopinjtë në të cilët do të shkruash, duhet t’i mbash në dorë që t’i shohë i gjithë populli. 21  Pastaj thuaju: “Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Unë do t’i marr izraelitët nga kombet ku kanë shkuar, do t’i mbledh nga çdo anë dhe do t’i çoj në vendin e tyre.+ 22  Do t’i bëj një komb të vetëm në atë vend,+ në malet e Izraelit, dhe mbi tërë popullin do të mbretërojë një mbret i vetëm;+ ata nuk do të jenë më dy kombe e as do të jenë më të ndarë në dy mbretëri.+ 23  Nuk do të ndoten më me idhujt e tyre të pështirë,* me zakonet e tyre të neveritshme dhe me tërë shkeljet* e tyre.+ Unë do t’i çliroj nga të gjitha pabesitë që i çuan në mëkat dhe do t’i pastroj. Ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.+ 24  Shërbëtori im, Davidi, do të jetë mbreti i tyre,+ dhe të gjithë do të kenë një bari të vetëm.+ Ata do të ecin sipas vendimeve të mia gjyqësore dhe do të zbatojnë me kujdes ligjet e mia.+ 25  Do të banojnë në vendin që i dhashë Jakobit, shërbëtorit tim, në vendin ku banuan paraardhësit e tyre.+ Atje do të banojnë përgjithmonë ata,+ fëmijët* dhe fëmijët e fëmijëve të tyre,+ dhe Davidi, shërbëtori im, do të jetë prijësi* i tyre përgjithmonë.+ 26  Unë do të bëj me ta një besëlidhje paqeje,+ dhe ajo do të jetë një besëlidhje e përjetshme. Unë do t’i vë atje, do t’i shumoj+ dhe do ta vendos shenjtëroren time mes tyre, që të mbetet përgjithmonë. 27  Tenda* ime do të jetë mbi* ta, unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.+ 28  Shenjtërorja ime do të jetë mes tyre përgjithmonë, dhe atëherë kombet kanë për ta marrë vesh se unë, Jehovai, po e shenjtëroj Izraelin.’”»+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «Dora».
Fjalë për fjalë «rrafshinë lugine».
Ose «forcën e jetës». Shih Fjalorthin.
Ose «forcën e jetës». Shih Fjalorthin.
Ose «forcën e jetës». Shih Fjalorthin.
Ose «frymë». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «erërat».
Ose «forca e jetës». Shih Fjalorthin.
Ose «që janë shokët e tij».
Ose «që janë shokët e tij».
Fjalë për fjalë «bijtë e popullit tënd».
Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
Fjalë për fjalë «bijtë».
Ose «princi».
Ose «Vendbanimi; Shtëpia».
Ose «me».