Ezekieli 21:1-32

  • Perëndia zhvesh shpatën e gjykimit (1-17)

  • Mbreti i Babilonisë do të sulmojë Jerusalemin (18-24)

  • Prijësit e ligj të Izraelit do të hiqen (25-27)

    • «Hiqe kurorën» (26)

    • «Derisa të vijë ai që ka të drejtën ligjore» (27)

  • Shpata kundër amonitëve (28-32)

21  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:  «Bir njeriu, ktheje fytyrën nga Jerusalemi, bëj një shpallje kundër vendeve të shenjta dhe profetizo kundër Izraelit.  Thuaji vendit të Izraelit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Ja, unë jam kundër teje, do ta zhvesh shpatën+ dhe do të shfaros të drejtë e të ligj.  Do ta zhvesh shpatën dhe do ta drejtoj kundër çdo njeriu,* nga jugu në veri, sepse unë do të shfaros të drejtë e të ligj.  Çdo njeri ka për ta marrë vesh se unë, Jehovai, e kam zhveshur shpatën e s’do ta kthej më mbrapsht.’”+  Ti, o bir njeriu, psherëti dhe dridhu* nga frika. Po, psherëti i vrerosur para tyre.+  Nëse të thonë: ‘Pse psherëtin?’, ti do t’u përgjigjesh: ‘Për shkak të një lajmi.’ Se me siguri ai lajm do të vijë dhe çdo zemër do të mpaket nga frika, të gjithë do t’i lëshojë zemra,* çdo njeri* do të ligështohet dhe gjunjët do të pikojnë.*+ ‘Ja, ai lajm ka për të ardhur dhe do të ndodhë tamam ashtu’,​—thotë Zotëria Sovran Jehova.»  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma:  «Bir njeriu, profetizo: “Kështu thotë Jehovai: ‘Thuaj: Ja, një shpatë! Një shpatë+ është mprehur dhe është lëmuar. 10  Është mprehur për të bërë masakër të madhe, është lëmuar që të shndritë si vetëtimë. A nuk duhet të ngazëllojmë?’ A do t’i bjerë vallë ajo* skeptrit të tim biri,+ siç bën me çdo pemë? 11  Ajo është dhënë për t’u lëmuar, që dikush ta vringëllojë në dorë; është mprehur e është lëmuar, që t’i jepet në dorë një ekzekutuesi.+ 12  Bërtit dhe vajto,+ o bir njeriu, sepse ajo është kthyer kundër popullit tim; është kthyer kundër tërë prijësve të Izraelit,+ të cilët do të bien të vdekur nga shpata bashkë me popullin tim. Prandaj bjeri kofshës nga hidhërimi, 13  sepse populli im është shqyrtuar.+ E çfarë do të ndodhë nëse shpata do t’i bjerë skeptrit?* Ai* nuk do të ekzistojë më”,+​—thotë Zotëria Sovran Jehova. 14  Ti, o bir njeriu, profetizo, përplas duart dhe përsërit tri herë fjalën ‘shpatë’. Ajo është shpata e të vrarëve, shpata e masakrës së madhe, që i rrethon ngado.+ 15  Zemrat do t’u mpaken nga frika+ dhe shumë do të bien pranë portave të qytetit; me anë të shpatës, unë do të bëj një masakër. Po, shpata shndrit si vetëtimë dhe është lëmuar që të bëjë një masakër! 16  Godit djathtas, o shpatë e mprehtë! Vringëllo majtas! Shko nga të të shkojë tehu! 17  Edhe unë do të përplas duart gjithë përçmim e do të ekzekutoj gjykimin tim, dhe atëherë do të më fashitet tërbimi.+ Unë, Jehovai, kam folur.» 18  Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 19  «Ti, o bir njeriu, shëno dy rrugë nga do të vijë shpata e mbretit të Babilonisë. Rrugët do të dalin nga i njëjti vend, dhe ti duhet të vësh një shenjë aty ku ato degëzohen për në të dyja qytetet. 20  Shëno një rrugë nga do të vijë shpata kundër Rabahut+ të amonitëve dhe një tjetër nga do të vijë kundër Jerusalemit të fortifikuar+ në Judë, 21  sepse mbreti i Babilonisë ndalet që të hedhë fall aty ku degëzohen rrugët, në krye të tyre. Ai përzien shigjetat, konsultohet me idhujt e tij* dhe shqyrton mëlçinë.* 22  Falli në dorën e tij të djathtë i tregon drejtimin për në Jerusalem. Ai duhet të vërë desh* kundër qytetit, të urdhërojë një masakër, të japë alarmin për luftë, të vërë desh kundër portave dhe të ngrejë një ledh e një mur rrethues.+ 23  Por do të duket si fall i rremë për ata* që u janë betuar atyre.*+ Megjithatë ai e kujton fajin e tyre, prandaj do t’i çojë në robëri.+ 24  Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ju vetë bëtë që faji juaj të kujtohej, ngaqë i nxorët sheshit shkeljet* tuaja dhe i bëtë të dukshme mëkatet tuaja në gjithçka. Tani që faji juaj është kujtuar, do t’ju marrin me forcë.’* 25  Por dita jote ka ardhur, o i plagosur për vdekje, o prijës i lig i Izraelit,+ dita e ndëshkimit tënd përfundimtar ka ardhur. 26  Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Hiqe çallmën, hiqe kurorën.+ Nuk do të jetë më si më parë.+ Ngrije lart atë që është poshtë+ dhe ule poshtë atë që është lart.+ 27  Unë do ta rrënoj, do ta rrënoj, po, do ta rrënoj atë. Ajo nuk do t’i përkasë askujt derisa të vijë ai që ka të drejtën ligjore+ dhe atij do t’ia jap.’+ 28  Ti, o bir njeriu, profetizo dhe thuaj: ‘Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova për amonitët dhe për fyerjet e tyre: “Një shpatë, po, një shpatë është zhveshur për të bërë masakër; është lëmuar që të përpijë dhe të shndritë si vetëtimë. 29  Pavarësisht vegimeve* të rreme dhe fallit të gënjeshtërt që do të bëhen për ty, ty do të të hedhin mbi pirgun e të vrarëve,* të këtyre njerëzve të ligj që u ka ardhur dita e ndëshkimit përfundimtar. 30  Ktheje shpatën në mill.* Unë do të të gjykoj në vendin ku u krijove, në tokën ku i ke rrënjët. 31  Unë do të derdh mbi ty indinjatën time, do të shfryj mbi ty zjarrin e furisë sime dhe do të të lë në duart e njerëzve të dhunshëm, të mjeshtërve të shkatërrimit.+ 32  Ti do të katandisesh në dru zjarri,+ gjaku yt do të derdhet në gjithë vendin dhe askush nuk do të të kujtojë më, sepse unë, Jehovai, kam folur.”’»

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «çdo mishi».
Fjalë për fjalë «bëje copë mesin».
Fjalë për fjalë «do t’u lëshohen duart».
Fjalë për fjalë «frymë».
Domethënë, do të urinojnë nga frika.
Domethënë, shpata e Jehovait.
Ose «shkopit mbretëror?»
Ose «Skeptri».
Ose «perënditë e shtëpisë». Fjalë për fjalë «terafimët».
Një formë falli.
Mjet lufte që përdorej për të shpuar muret a për të shpërthyer portat e një qyteti.
Ose «në sytë e atyre». Domethënë, të banorëve të Jerusalemit.
Ka të ngjarë, babilonasve.
Fjalë për fjalë «me dorë».
Fjalë për fjalë «mbi qafën e të vrarëve».
Ose «në këllëf».