Ezekieli 1:1-28

  • Ezekieli në Babiloni sheh vegime nga Perëndia (1-3)

  • Vegimi i karrocës qiellore të Jehovait (4-28)

    • Stuhia, reja dhe zjarri (4)

    • Katër krijesa të gjalla (5-14)

    • Katër rrota (15-21)

    • Një platformë që rrëzëllente si akull (22-24)

    • Froni i Jehovait (25-28)

1  Vitin e 30-të,* ditën e pestë të muajit të katërt, teksa isha mes të mërguarve+ pranë lumit Kebar,+ qiejt u hapën dhe fillova të shihja vegime* nga Perëndia.  Ditën e pestë të muajit, domethënë, vitin e pestë të mërgimit të mbretit Jehojakin,+  fjala e Jehovait m’u drejtua mua, Ezekielit,* birit të priftit Buzi, ndërsa isha në vendin e kaldeasve,+ pranë lumit Kebar. Atje, fuqia* e Jehovait filloi të vepronte tek unë.+  Ndërsa shihja, ja tek erdhi nga veriu një erë e stuhishme,+ një re gjigante dhe një zjarr flakërues*+ të rrethuar nga një dritë vezulluese, e në mes të zjarrit ishte diçka që dukej si metal i shndritshëm.*+  Brenda zjarrit ishin disa që dukeshin si katër krijesa të gjalla,+ që nga pamja ngjanin me njeriun.  Secila krijesë kishte katër fytyra dhe katër krahë.+  Këmbët i kishin të drejta dhe u shndritnin si bakër i lustruar,+ shputat e këmbëve i kishin si thundra viçi,  ndërsa poshtë krahëve, në të katër anët, kishin duar njeriu; që të katra krijesat kishin fytyra dhe krahë.  Krahët e tyre preknin njëri-tjetrin. Kur ecnin, ato nuk ktheheshin, por secila shkonte drejt përpara.+ 10  Fytyrat e tyre dukeshin kështu:+ secila nga katër krijesat kishte një fytyrë njeriu, një fytyrë luani+ në të djathtë, një fytyrë demi+ në të majtë dhe një fytyrë shqiponje.+ 11  Kështu, pra, ishin fytyrat e tyre. Krahët e tyre shtriheshin lart; secila kishte dy krahë që preknin njëri-tjetrin dhe dy të tjerë që mbulonin trupin.+ 12  Krijesat e gjalla shkonin drejt përpara, ku t’i drejtonte fryma.*+ Ato ecnin e nuk ktheheshin 13  dhe dukeshin si thëngjij të ndezur. Ndërmjet tyre lëviznin para-mbrapa ca si pishtarë me zjarr flakërues, e prej zjarrit shkreptinin vetëtima.+ 14  Edhe kur lëviznin tek shkonin e vinin, krijesat e gjalla dukeshin si vetëtimë. 15  Ndërsa po shikoja krijesat e gjalla me katër fytyra, vura re se përtokë, përkrah secilës prej tyre, kishte nga një rrotë.+ 16  Për nga pamja, rrotat rrëzëllenin si krizolit dhe që të katra dukeshin njësoj, kurse për nga struktura, dukeshin si një rrotë e futur në mes të një rrote tjetër.* 17  Tek lëviznin, mund të shkonin në cilindo nga të katër drejtimet pa pasur nevojë të ktheheshin. 18  Lartësia e rrotave të linte gojëhapur dhe pjesa e jashtme e të katër rrotave ishte plot sy rreth e qark.+ 19  Sa herë që lëviznin krijesat e gjalla, lëviznin edhe rrotat, dhe kur krijesat e gjalla ngriheshin nga toka, ngriheshin edhe rrotat.+ 20  Krijesat e gjalla shkonin ku t’i drejtonte fryma, atje ku shkonte edhe ajo vetë. Rrotat ngriheshin bashkë me to, sepse po ajo frymë që vepronte te krijesat e gjalla,* ishte edhe te rrotat. 21  Kur krijesat e gjalla lëviznin, lëviznin edhe rrotat; kur ato ndaleshin, ndaleshin edhe rrotat, dhe kur ato ngriheshin nga toka, ngriheshin edhe rrotat, sepse po ajo frymë që vepronte te krijesat e gjalla, ishte edhe te rrotat. 22  Sipër kokave të krijesave të gjalla shtrihej diçka që ngjante me një platformë të kristaltë që rrëzëllente si akull.+ 23  Poshtë kësaj platforme, krahët e krijesave shtriheshin lart* dhe preknin njëri-tjetrin; secila kishte dy krahë për të mbuluar një anë të trupit dhe dy për të mbuluar anën tjetër. 24  Kur dëgjova zhurmën e krahëve të tyre, m’u duk si zhurma e ujërave gurgulluese, si zëri i të Plotfuqishmit.+ Kur lëviznin, dukej si zhurma e një ushtrie; kur ndaleshin, krijesat i ulnin krahët. 25  Dëgjova një zë që vinte nga lart, mbi platformën që shtrihej sipër kokave të tyre. (Kur ndaleshin, krijesat i ulnin krahët.) 26  Mbi platformën sipër kokave të tyre, kishte diçka që ngjante si fron+ e që dukej si gur safiri.+ Mbi atë fron rrinte ulur dikush që kishte pamje njeriu.+ 27  Nga ajo që dukej si pjesa e trupit nga mesi e lart, pashë diçka rrëzëlluese si metal i shndritshëm+ që shkëlqente si flakët e zjarrit, dhe nga mesi e poshtë pashë diçka që ngjante si zjarr.+ Atë e rrethonte një shkëlqim 28  si ai i ylberit+ kur del në re në një ditë shiu. Kështu dukej drita që shkëlqente rreth e qark tij. Ajo ngjante si lavdia e Jehovait.+ Kur e pashë këtë, u përkula me fytyrë përtokë dhe fillova të dëgjoja zërin e dikujt që fliste.

Shënime në fund të faqes

Me sa duket i referohet moshës së Ezekielit.
Do të thotë «Perëndia forcon».
Fjalë për fjalë «dora».
Ose «një vetëtimë».
Ose «si elektrum», që është një përzierje ari dhe argjendi.
Ka mundësi, dy rrota të vendosura kryq në të njëjtin bosht, duke formuar kënde të drejta.
Fjalë për fjalë «fryma e krijesës së gjallë».
Një mundësi tjetër «shtriheshin anash».