Eksodi 32:1-35

  • Adhurimi i viçit të artë (1-35)

    • Moisiu dëgjon një këngë të çuditshme (17, 18)

    • Moisiu copëton pllakat e ligjit (19)

    • Levitët besnikë ndaj Jehovait (26-29)

32  Ndërkohë, populli pa që Moisiu po vonohej shumë që të zbriste nga mali.+ Prandaj u mblodhën rreth Aronit dhe i thanë: «Ngrihu e na bëj një perëndi që të na prijë,+ sepse nuk e dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit.»  Aroni u përgjigj: «Hiqni vathët e artë+ nga veshët e grave, të djemve dhe të vajzave tuaja dhe m’i sillni.»  Kështu të gjithë hoqën nga veshët vathët e artë dhe ia çuan Aronit.  Pastaj ai e mori arin që i çuan, i dha formë me një vegël për skalitje dhe bëri një statujë* viçi.+ Atëherë populli filloi të thoshte: «Ky është Perëndia yt, o Izrael, që të nxori nga vendi i Egjiptit.»+  Kur e pa këtë, Aroni ndërtoi një altar përpara statujës dhe u tha: «Nesër do të ketë një festë për Jehovain.»  Prandaj të nesërmen u ngritën herët, filluan të flijonin blatime të djegura dhe të paraqitnin flijime në bashkësi. Pastaj populli u ul të hante e të pinte, e pas kësaj u ngrit të festonte.+  Tani Jehovai i tha Moisiut: «Shko, zbrit, sepse populli yt, që ti e nxore nga vendi i Egjiptit, ka vepruar me ligësi.+  Sa shpejt dolën nga udha në të cilën i urdhërova të ecnin!+ Kanë bërë një statujë* viçi, përkulen para saj, i bëjnë flijime dhe thonë: ‘Ky është Perëndia yt, o Izrael, që të nxori nga vendi i Egjiptit.’»  Jehovai i tha akoma Moisiut: «Kam parë që ky është popull kryeneç.*+ 10  Po vloj nga zemërimi, ndaj më lër t’i shfaros dhe të bëj prej teje një komb të madh.»+ 11  Atëherë Moisiu iu përgjërua* Jehovait, Perëndisë së tij,+ dhe i tha: «O Jehova, pse të të vlojë zemërimi kundër popullit tënd pasi e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?+ 12  Pse të thonë egjiptianët: ‘Kishte qëllime të këqija kur i nxori nga Egjipti. Donte t’i vriste mes maleve e t’i shfaroste nga faqja e dheut.’+ Të lutem, hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe mendoje edhe një herë vendimin për t’i sjellë* këtë të keqe popullit tënd. 13  Kujto shërbëtorët e tu, Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, të cilëve iu betove për veten tënde dhe u the: ‘Do ta shumoj pasardhësin* tënd si yjet e qiellit+ dhe do t’ia jap pasardhësit* tënd gjithë vendin që kam caktuar, që ta marrë si zotërim të përhershëm.’»+ 14  Prandaj Jehovai filloi ta mendonte edhe një herë vendimin e tij* për të keqen që kishte thënë se do t’i sillte popullit.+ 15  Pastaj Moisiu u kthye dhe zbriti nga mali me dy pllakat e Dëshmisë+ në dorë.+ Pllakat ishin të skalitura në të dyja anët; ato ishin të shkruara para dhe mbrapa. 16  Pllakat ishin punuar nga Perëndia, dhe shkrimi i skalitur në to ishte shkrimi i Perëndisë.+ 17  Kur dëgjoi zhurmën e popullit që po bërtiste, Josiu i tha Moisiut: «Nga kampi vjen një zhurmë beteje.» 18  Por Moisiu iu përgjigj: «Ky nuk është tingulli i një kënge fitoreje,as tingulli i përvajshëm i një disfate. Po dëgjoj tingullin e një kënge tjetër.» 19  Sapo iu afrua kampit dhe pa viçin+ e vallet, Moisiut iu ndez zemërimi, i flaku pllakat që kishte në duar dhe i copëtoi në rrëzë të malit.+ 20  Mori viçin që kishin bërë ata, e dogji në zjarr dhe e thërrmoi derisa u bë pluhur;+ pastaj e përhapi pluhurin në ujë dhe i urdhëroi izraelitët ta pinin.+ 21  Dhe Moisiu i tha Aronit: «Ç’të bëri ky popull që arrite të sillje mbi ta një mëkat kaq të madh?!» 22  Aroni iu përgjigj: «Mos u zemëro, zotëria im. Ti e di mirë që ky popull priret nga e liga.+ 23  Ata më thanë: ‘Na bëj një perëndi që të na prijë, sepse nuk e dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiut, njeriut që na nxori nga vendi i Egjiptit.’+ 24  Ndaj u thashë: ‘Kush të ketë ar, ta heqë e të ma japë mua.’ Pastaj e hodha në zjarr, dhe doli ky viç.» 25  Moisiu pa që populli ishte shfrenuar, sepse Aroni i kishte lënë pa fre, e kështu u turpëruan në sytë e kundërshtarëve të tyre. 26  Pastaj Moisiu zuri vend në hyrje të kampit dhe tha: «Kush është me Jehovain? Le të vijë tek unë!»+ Gjithë levitët u mblodhën rreth tij, 27  dhe ai u tha: «Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Secili të ngjeshë shpatën, të kalojë përmes kampit, hyrje më hyrje,* e të vrasë vëllanë, fqinjin dhe shokun e vet të ngushtë.’»+ 28  Levitët bënë si u tha Moisiu, prandaj atë ditë u vranë rreth 3.000 burra. 29  Atëherë Moisiu u tha: «Ndahuni veç* për Jehovain sot, sepse secili nga ju doli kundër djalit dhe vëllait të vet,+ e për këtë arsye Perëndia do t’ju bekojë sot.»+ 30  Të nesërmen Moisiu i tha popullit: «Ju kryet një mëkat shumë të rëndë, prandaj tani do të ngjitem në mal te Jehovai, se mbase mund të bëj ndonjë gjë që ai t’jua falë mëkatin.»+ 31  Kështu Moisiu u kthye te Jehovai dhe i tha: «Ç’mëkat të madh ka kryer ky popull! Me duart e tyre bënë një perëndi prej ari!+ 32  Megjithatë, nëse është vullneti yt, falua mëkatin,+ e nëse nuk i fal, të lutem, më fshi nga libri që ke shkruar.»+ 33  Por Jehovai i tha Moisiut: «Do të fshij nga libri im këdo që ka mëkatuar kundër meje. 34  Tani shko dhe priji popullit drejt vendit që të kam thënë. Engjëlli im do të shkojë para teje+ dhe, ditën kur t’u kërkoj llogari, do t’i ndëshkoj për mëkatin e tyre.» 35  Atëherë Jehovai filloi ta godiste popullin me plagë për statujën e viçit që Aroni kishte bërë me kërkesën e tyre.

Shënime në fund të faqes

Ose «shtatore të derdhur».
Ose «shtatore të derdhur».
Fjalë për fjalë «me qafë të fortë».
Fjalë për fjalë «zbuti fytyrën».
Ose «dhe të të vijë keq e mos ia bëj».
Fjalë për fjalë «farën». Në hebraisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «farës».
Ose «Jehovait i erdhi keq».
Fjalë për fjalë «portë më portë».
Fjalë për fjalë «Mbushni dorën».