Eksodi 20:1-26

  • Dhjetë Urdhërimet (1-17)

  • Izraelitët frikësohen nga fenomenet natyrore (18-21)

  • Udhëzime për adhurimin (22-26)

20  Pastaj Perëndia tha gjithë këto fjalë:+  «Unë jam Jehovai, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.+  Mos ki perëndi të tjera përveç meje.*+  Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur ose ndonjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat e tokës.+  Mos u përkul para tyre dhe mos u tundo t’u shërbesh,+ sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua,+ që për fajin e etërve ndëshkoj bijtë, deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë.  Por u tregoj dashuri besnike për mijëra breza atyre që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia.+  Mos e zër në gojë kot* emrin e Jehovait, Perëndisë tënd,+ sepse Jehovai nuk do ta lërë pa ndëshkuar atë që e zë në gojë kot emrin e Tij.+  Kujtoje ditën e Sabatit dhe shenjtëroje.+  Do të punosh e do të bësh gjithçka që ke për të bërë për gjashtë ditë.+ 10  Ndërsa dita e shtatë është sabat për Jehovain, Perëndinë tënd. Mos bëj asnjë punë, as ti, as biri e as bija jote, as skllavi e as skllavja jote, as kafsha jote shtëpiake dhe as i ardhuri që gjendet brenda vendbanimeve* të tua,+ 11  sepse në gjashtë ditë Jehovai bëri qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në ta, dhe ditën e shtatë filloi të pushonte.+ Ja pse Jehovai e bekoi ditën e Sabatit dhe e bëri të shenjtë. 12  Ndero babanë dhe nënën tënde,+ që të jetosh gjatë në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt.+ 13  Mos vrit.+ 14  Mos kryej kurorëshkelje.*+ 15  Mos vidh.+ 16  Mos jep dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.*+ 17  Mos dëshiro shtëpinë e tjetrit. Mos dëshiro gruan e tjetrit,+ as skllavin e as skllaven e tij, as demin e as gomarin e tij, asgjë të tijën.»+ 18  Tani gjithë populli i shihte e i dëgjonte bubullimat, vetëtimat, tingullin e bririt dhe malin që nxirrte tym. E përpara kësaj pamjeje, populli dridhej nga frika dhe qëndronte në njëfarë largësie.+ 19  Prandaj i thanë Moisiut: «Fol ti me ne, dhe ne do të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia, se kemi frikë mos vdesim.»+ 20  Atëherë Moisiu i tha popullit: «Mos u trembni, sepse Perëndia i vërtetë ka ardhur t’ju vërë në provë,+ me qëllim që të keni gjithnjë nderim të thellë për të* e të mos mëkatoni.»+ 21  Kështu populli vazhdoi të qëndronte në njëfarë largësie, kurse Moisiu iu afrua resë së errët ku ishte Perëndia i vërtetë.+ 22  Jehovai i tha akoma Moisiut: «Kështu do t’u thuash izraelitëve: ‘Ju e patë vetë se unë ju fola nga qielli.+ 23  Mos bëni perëndi prej argjendi, që t’i barazoni me mua, dhe as perëndi prej ari.+ 24  Do të më bëni një altar prej dheu e mbi të do të flijoni blatimet tuaja të djegura, flijimet tuaja në bashkësi,* kopetë dhe tufat tuaja. Tek ai vend që do të zgjedh për t’u kujtuar emri im,+ do të vij te ju dhe do t’ju bekoj. 25  Nëse më bëni një altar me gurë, nuk do ta ndërtoni me gurë të gdhendur*+ a të prerë, sepse po përdorët daltën, do ta përdhosni. 26  Në altarin tim nuk do të ngjiteni me shkallë, që të mos zbulohen mbi të pjesët tuaja intime.’*

Shënime në fund të faqes

Ose «për të më sfiduar». Fjalë për fjalë «kundër fytyrës sime».
Ose «Mos e përdor në mënyrë të papërshtatshme».
Fjalë për fjalë «portave».
Ose «tradhti bashkëshortore».
Ose «tjetrit». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «t’i frikësoheni gjithnjë atij». Shih Fjalorthin.
Ose «blatimet tuaja të paqes».
Ose «të latuar».
Fjalë për fjalë «lakuriqësia juaj».