Eklisiastiu 12:1-14

  • Kujtoje Krijuesin para se të vijë mosha e shkuar (1-8)

  • Përfundimi i atij që mbledh popullin (9-14)

    • Fjalët e mençura si hosten qesh (11)

    • Ki nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë (13)

12  Kujtoje, pra, Krijuesin tënd të Madh në ditët e rinisë sate,+ para se të vijnë ditët e vështira*+ dhe vitet kur do të thuash: «Nuk më sjellin më asnjë kënaqësi»;  para se dielli, drita, hëna e yjet të errësohen+ dhe retë të kthehen sërish pas rrebeshit;*  para se rojtarëve të shtëpisë t’u dridhet trupi, burrat e fuqishëm të kërrusen, gratë të mos bluajnë më ngaqë janë rralluar dhe zonjat të shohin nga dritarja veçse errësirë;+  para se dyert e rrugës të mbyllen, zhurma e mullirit të zbehet, njeriu të zgjohet nga cicërima e një zogu dhe gjithë bijat e këngës të meken;+  para se të frikësohesh nga lartësitë dhe nga tmerret rrugës, para se pema e bajames të çelë,+ karkaleci të hiqet zvarrë, fryti i kaperit* të shpërthejë, njeriu të ecë drejt shtëpisë ku do të prehet gjatë+ dhe kortezhi i vajtuesve të endet rrugëve;+  para se kordoni prej argjendi të këputet, kupa prej ari të copëtohet, shtamba në krua të thyhet dhe çikriku i sternës* të bëhet copë-copë.  Atëherë pluhuri do të kthehet në tokë,+ aty ku ishte më parë, dhe fryma* do t’i kthehet Perëndisë së vërtetë që e dha.+  «Kotësi e kotësive!»—thotë ai që mbledh popullin.+ «Çdo gjë është kotësi!»+  Përveçse u bë i mençur vetë, ai që mbledh popullin u mësoi pareshtur njerëzve ato që dinte,+ dhe bluajti në mendje e bëri kërkime të hollësishme, që të përpilonte* shumë proverba.+ 10  Ai kërkoi të gjente fjalë të këndshme+ dhe të hidhte me shkrim fjalë të sakta të së vërtetës. 11  Fjalët e të mençurve janë si hostenë* qesh+ dhe thëniet e tyre të urta janë si gozhdë të ngulura mirë; ato i ka dhënë një barí i vetëm. 12  Përveç gjithë këtyre, biri im, mbaj parasysh këtë: shkruhen libra pa fund, e të jepesh shumë pas tyre, e sfilit trupin.*+ 13  Pas gjithë gjërave që u thanë, ky është përfundimi: ki nderim të thellë për Perëndinë e vërtetë*+ dhe zbatoji urdhërimet e tij,+ se ky është tërë detyrimi i njeriut,+ 14  sepse Perëndia i vërtetë do të gjykojë çdo vepër, përfshirë çdo gjë të fshehur, në është e mirë a e keqe.+

Shënime në fund të faqes

Ose «e zeza; e këqija».
Një mundësi tjetër «bashkë me rrebeshin».
Ose «fryti i kaparinës».
Domethënë, i depos së nëndheshme për të mbledhur ujë.
Ose «forca e jetës». Shih Fjalorthin.
Ose «të vinte sipas radhës».
Fjalë për fjalë «mishin».
Fjalë për fjalë «frikësoju Perëndisë së vërtetë». Shih Fjalorthin.