Ligji i përtërirë 6:1-25

  • Duaje Jehovain me gjithë zemrën tënde (1-9)

    • «Dëgjo, o Izrael» (4)

    • Prindërit duhet të mësojnë fëmijët (6, 7)

  • Mos e harro Jehovain (10-15)

  • Mos e vër në provë Jehovain (16-19)

  • Tregoji brezit tjetër (20-25)

6  Këto, pra, janë urdhërimet, rregullat dhe ligjet që Jehovai, Perëndia yt, të ka dhënë për të të mësuar, me qëllim që t’i zbatosh në vendin ku po shkon për ta shtënë në dorë,  që të kesh nderim të thellë për Jehovain,* Perëndinë tënd, e t’i respektosh tërë ligjet dhe urdhërimet e tij që po të jap ty, birit dhe nipit tënd,+ për sa ditë të kesh jetë, e kështu do të jetosh gjatë.+  Dëgjoji, o Izrael, e zbatoji ato me kujdes, që të të vejë mbarë e të shumohesh në vendin ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç premtoi Jehovai, Perëndia i paraardhësve të tu.  Dëgjo, o Izrael: Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.+  Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin*+ tënd dhe me gjithë forcën tënde.*+  Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot.  Ngulitua ato* fëmijëve* të tu+ dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.+  Lidhi në dorë si përkujtues dhe le të jenë si shirit në ballë.*+  Shkruaji në shtalkat e derës* së shtëpisë dhe në portat e tua. 10  Kur Jehovai, Perëndia yt, të të çojë në vendin që iu betua paraardhësve të tu​—Abrahamit, Isakut dhe Jakobit—​që të ta jepte ty,+ një vend me qytete të mëdha e të bukura që nuk i ndërtove vetë,+ 11  me shtëpi me gjithë të mirat për të cilat nuk punove vetë, me sterna* që nuk i gërmove vetë, me vreshta dhe ullinj që nuk i mbolle vetë, e ti të kesh ngrënë e të jesh ngopur,+ 12  ki kujdes se mos e harron Jehovain+ që të nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë. 13  Nderoje thellësisht Jehovain,* Perëndinë tënd,+ atij shërbeji+ dhe në emër të tij betohu.+ 14  Mos shko pas perëndive të tjera, pas asnjë perëndie të popujve përreth,+ 15  sepse Jehovai, Perëndia yt, që gjendet mes teje, është një Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij.+ Përndryshe Jehovait, Perëndisë tënd, do t’i ndizet zemërimi kundër teje+ e do të të shfarosë nga faqja e dheut.+ 16  Mos e vër në provë Jehovain, Perëndinë tënd+, siç bëre në Masah.+ 17  Zbatoji gjithë merak urdhërimet e Jehovait, Perëndisë tënd, përkujtuesit dhe rregullat që të ka urdhëruar. 18  Bëj atë që është e drejtë dhe e mirë në sytë e Jehovait, që të të shkojë mbarë dhe të hysh e të marrësh vendin e mirë që Jehovai iu betua paraardhësve të tu,+ 19  duke dëbuar tërë armiqtë e tu, siç premtoi Jehovai.+ 20  Nëse një ditë fëmijët* e tu të pyesin: ‘Ç’domethënie kanë përkujtuesit, rregullat dhe ligjet që ka urdhëruar Jehovai, Perëndia ynë?’ 21  thuaju: ‘Ne u bëmë skllevër të faraonit në Egjipt, por Jehovai na nxori nga Egjipti me dorë të fortë. 22  Para syve tanë Jehovai bënte shenja dhe mrekulli të mëdha e tronditëse kundër Egjiptit,+ kundër faraonit dhe kundër tërë shtëpisë së tij.+ 23  Ai na nxori nga andej që të na sillte këtu e të na jepte vendin që iu betua paraardhësve tanë.+ 24  Pastaj Jehovai na urdhëroi të zbatonim tërë këto rregulla, të kishim gjithnjë nderim të thellë për Jehovain,* Perëndinë tonë, për të mirën tonë,+ që të mbeteshim gjallë,+ siç jemi sot e kësaj dite. 25  Nëse i zbatojmë me kujdes tërë këto urdhërime që na ka dhënë Jehovai, Perëndia ynë, duke iu bindur, do të quhemi të drejtë.’+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «t’i frikësohesh Jehovait». Shih Fjalorthin.
Ose «me gjithçka që ke».
Ose «Përsëritua ato; Skalitua ato në zemër e në mendje».
Fjalë për fjalë «bijve».
Fjalë për fjalë «mes syve».
Domethënë, te korniza e derës.
Domethënë, depo të nëndheshme për të mbledhur ujë.
Fjalë për fjalë «Frikësoju Jehovait». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «biri».
Fjalë për fjalë «t’i frikësoheshim Jehovait». Shih Fjalorthin.