Letra e dytë drejtuar Timoteut 2:1-26

  • Besojua mesazhin burrave të kualifikuar (1-7)

  • Durojmë vuajtje për hir të lajmit të mirë (8-13)

  • Përdore drejt fjalën e Perëndisë (14-19)

  • Ik nga dëshirat rinore (20-22)

  • Si të veprojmë me kundërshtarët (23-26)

2  Ti, biri im,+ vazhdo të marrësh fuqi falë mirësisë së pamerituar që tregon Krishti Jezu.  Gjërat që dëgjove nga unë, të mbështetura nga shumë dëshmitarë,+ besojua burrave të besueshëm, të cilët pastaj do të jenë të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar edhe të tjerë.  Ji gati të vuash+ edhe ti si ushtar i shkëlqyer+ i Krishtit Jezu.  Kush është ushtar, nuk përfshihet* në çështjet tregtare* të jetës, sepse do që të fitojë miratimin e atij që e ka rekrutuar si ushtar.  Madje, edhe një atlet nuk kurorëzohet po të mos marrë pjesë në garë* sipas rregullave.+  Bujku që punon fort, duhet të jetë i pari që i shijon frytet e tokës së vet.  Mendoji vazhdimisht këto që po të them. Zotëria do të të japë aftësi për të kuptuar* gjithçka.  Mos harro se Jezu Krishti u ngrit nga të vdekurit+ dhe ishte pasardhës* i Davidit,+ e ky është lajmi i mirë që po predikoj,+  për të cilin po vuaj e jam burgosur si kriminel.+ Megjithatë, fjala e Perëndisë nuk është e lidhur me vargonj.+ 10  Për këtë arsye vazhdoj të duroj gjithçka për hir të të zgjedhurve,+ që edhe ata të shpëtojnë nëpërmjet Krishtit Jezu, si edhe të fitojnë lavdi të përhershme. 11  E besueshme është kjo thënie: pa dyshim, nëse vdiqëm bashkë me të, edhe do të jetojmë bashkë me të;+ 12  nëse vazhdojmë të qëndrojmë, edhe do të mbretërojmë bashkë me të;+ nëse e mohojmë, edhe ai do të na mohojë;+ 13  nëse nuk jemi besnikë, ai mbetet besnik, sepse nuk e mohon dot veten.* 14  Vazhdo t’ua kujtosh këto gjëra, duke i udhëzuar* përpara Perëndisë të mos zihen për fjalë, sepse kjo s’ka asnjë dobi dhe i dëmton* ata që i dëgjojnë. 15  Bëj çmos të paraqitesh para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.+ 16  Por hidhi poshtë fjalët boshe, që shpërfillin atë që është e shenjtë,+ sepse ato* do të nxisin gjithnjë e më shumë një qëndrim shpërfillës ndaj Perëndisë. 17  Fjalët e këtyre njerëzve do të përhapen si gangrenë; ndër ta janë Himeneu dhe Fileti.+ 18  Këta njerëz janë larguar nga e vërteta dhe thonë se ringjallja ka ndodhur tashmë,+ e po minojnë besimin e disave. 19  Megjithatë, themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur dhe ka këtë vulë: «Jehovai* i njeh ata që i përkasin»,+ dhe: «Kushdo që mban emrin e Jehovait,*+ të heqë dorë nga padrejtësia.» 20  Tani, në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë ari e argjendi, por edhe druri e balte, dhe disa janë për përdorim të veçantë,* por të tjerat për përdorim të zakonshëm.* 21  Kështu, nëse dikush u rri larg këtyre të fundit, do të jetë enë* për përdorim të veçantë, e shenjtëruar,* e dobishme për të zotin dhe e përgatitur për çdo vepër të mirë. 22  Prandaj ik nga dëshirat rinore. Kërko me ngulm drejtësinë, besimin, dashurinë e paqen, bashkë me ata që me zemër të pastër tregojnë besim te Zotëria. 23  Gjithashtu, hidh poshtë debatet e marra prej injoranti,+ duke ditur se ato sjellin zënka. 24  Pasi skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël* me të gjithë,+ i kualifikuar për të mësuar, ta frenojë veten kur t’i bëjnë ndonjë padrejtësi+ 25  dhe t’i mësojë me butësi ata që kanë prirjen të mos ia vënë veshin.+ Ndoshta Perëndia u jep këtyre mundësi të pendohen,* e kështu të rifitojnë njohurinë e saktë për të vërtetën+ 26  si edhe të vijnë në vete e të dalin nga laku i Djallit, ku ai i ka zënë të gjallë që të bëjnë vullnetin e tij.+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «nuk ngatërrohet».
Një mundësi tjetër «në aktivitetet e përditshme».
Fjalë për fjalë «lojëra». Këtu përfshihen lloje të ndryshme sportesh.
Ose «aftësi dalluese për».
Fjalë për fjalë «farë».
Ose «nuk del dot jashtë natyrës së vet».
Fjalë për fjalë «duke u dhënë dëshmi të plotë».
Ose «i shkatërron; i rrëzon».
Një mundësi tjetër «ata».
Fjalë për fjalë «të nderuar».
Fjalë për fjalë «pa nder».
Ose «mjet».
Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
Ose «duhet të ketë takt».
Ose «u jep mundësi të ndryshojnë mendje».