Letra e dytë drejtuar selanikasve 2:1-17

  • Njeriu i paligjshmërisë (1-12)

  • Nxitje për të qëndruar të patundur (13-17)

2  Megjithatë, vëllezër, për sa i përket pranisë së Zotërisë tonë Jezu Krisht+ dhe kohës kur do të mblidhemi bashkë me të,+ ju kërkojmë  të mos e humbni shpejt gjykimin, as të mos alarmoheni nga ndonjë thënie e frymëzuar*+ ose nga ndonjë fjalë a nga ndonjë letër gjoja e shkruar nga ne, sikur dita e Jehovait*+ tashmë ka ardhur.  Askush të mos ju largojë nga rruga e drejtë* në ndonjë mënyrë, sepse ajo ditë nuk do të vijë pa ardhur më parë apostazia+ dhe pa u zbuluar njeriu i paligjshmërisë,*+ biri i shkatërrimit.+  Ai është një kundërshtar që e lartëson veten mbi këdo që quhet «perëndi» e mbi çdo objekt adhurimi, aq sa ulet në tempullin e Perëndisë dhe e paraqet veten para të gjithëve si perëndi.  A nuk ju kujtohet se kur isha ende me ju, jua thosha këto gjëra?  Tani, pra, e dini kush po vepron si forcë frenuese, me qëllim që njeriu i paligjshmërisë të mos zbulohet para kohës së caktuar.  Vërtet, kjo paligjshmëri, që tashmë është në veprim,+ do të mbetet mister deri kur të mos jetë më ai që tani vepron si forcë frenuese.  Atëherë do të zbulohet vërtet njeriu i paligjshmërisë, të cilin Zotëria Jezu do ta zhdukë me forcën e fjalës së tij*+ dhe do ta asgjësojë kur prania e Tij të shfaqet qartë.+  Megjithatë, prania e njeriut të paligjshmërisë është vepër e Satanait,+ sikurse edhe çdo vepër e fuqishme, shenjë e mrekulli* e rreme+ 10  dhe çdo mashtrim e padrejtësi.+ Këto gjëra i mashtrojnë ata që do të shpaguhen me shkatërrim, ngaqë nuk e pranuan dhe nuk e deshën me gjithë zemër të vërtetën, që të shpëtonin. 11  Ja pse Perëndia lejon që ata të ndikohen nga mashtrimet, e kështu t’i besojnë gënjeshtrës,+ 12  me qëllim që të gjithë të gjykohen, pasi nuk e besuan të vërtetën, por u kënaqën me padrejtësinë. 13  Megjithatë, ne e ndiejmë për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur për Jehovain,* sepse që në fillim Perëndia ju zgjodhi+ që të shpëtonit dhe ju shenjtëroi*+ me frymën e tij ngaqë e besuat të vërtetën. 14  Nëpërmjet lajmit të mirë që ne shpallim, ai ju thirri që të merrni lavdi si Zotëria ynë Jezu Krisht.+ 15  Prandaj, vëllezër, qëndroni të patundur+ dhe përmbajuni ngushtësisht traditave* që ju kemi mësuar,+ me fjalë a me ndonjë letër prej nesh. 16  E Zotëria ynë Jezu Krisht dhe Perëndia, Ati ynë, i cili na deshi+ e na dha ngushëllim të pashtershëm e shpresë të mrekullueshme+ me anë të mirësisë së pamerituar, 17  ngushëllofshin zemrat tuaja dhe ju bëfshin të patundur* për çdo vepër e fjalë të mirë!

Shënime në fund të faqes

Ose «nga ndonjë frymë». Shih Fjalorthin.
Ose «të mos ju joshë».
Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë.
Fjalë për fjalë «me frymën e gojës së tij».
Ose «çudira».
Shih Fjalorthin, «Shenjtërimi».
Ose «udhëzimeve».
Ose «të fortë».