Letra e dytë e Pjetrit 1:1-21

  • Përshëndetje (1)

  • Të siguroheni për thirrjen tuaj (2-15)

    • Cilësitë që i shtohen besimit (5-9)

  • Fjala profetike është edhe më e sigurt (16-21)

1  Simon Pjetri, skllav dhe apostull i Jezu Krishtit, drejtuar atyre që tani kanë të njëjtin besim të çmuar* si tonin, falë drejtësisë së Perëndisë tonë, si edhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht:  Paçi gjithnjë e më shumë mirësi të pamerituar* dhe paqe nëpërmjet njohurisë së saktë+ për Perëndinë dhe për Jezuin, Zotërinë tonë!  Me fuqinë e tij, Perëndia na ka dhënë* gjithçka na nevojitet që të kemi jetë e të jemi të përkushtuar ndaj tij, ngaqë kemi fituar njohuri të saktë për Atë që na thirri+ nëpërmjet lavdisë dhe virtytit të vet.  Me anë të tyre ai na ka dhënë* premtimet e tij të çmuara e madhështore+ që, nëpërmjet këtyre premtimeve, të mund të keni natyrë hyjnore,*+ përderisa jeni çliruar nga mbrapshtia e botës, ky fryt i dëshirave të gabuara.*  Pikërisht, për këtë arsye, bëni çmos+ që t’i shtoni besimit tuaj virtytin,+ virtytit njohurinë,+  njohurisë vetëkontrollin, vetëkontrollit+ qëndrueshmërinë, qëndrueshmërisë përkushtimin ndaj Perëndisë,*+  përkushtimit ndaj Perëndisë përzemërsinë vëllazërore, përzemërsisë vëllazërore, dashurinë.+  Po t’i keni këto cilësi, madje po të vërshojnë te ju, ato nuk do të lejojnë të bëheni joaktivë a të pafrytshëm,+ por do t’ju nxitin ta vini në zbatim njohurinë e saktë për Zotërinë tonë Jezu Krisht.  Kush nuk i ka këto cilësi, është i verbër, i mbyll sytë para dritës*+ dhe ka harruar që është pastruar nga mëkatet+ e dikurshme. 10  Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë që të siguroheni për thirrjen+ dhe zgjedhjen tuaj, sepse, nëse vazhdoni t’i zhvilloni këto cilësi, nuk do të dështoni kurrsesi.+ 11  Madje, në këtë mënyrë do t’ju hapet udha për të hyrë gjithë lavdi* në Mbretërinë e përjetshme+ të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.+ 12  Për këtë arsye, kam ndër mend t’jua kujtoj këto gjëra gjithnjë, ndonëse tashmë i dini dhe jeni të rrënjosur në të vërtetën. 13  Më duket me vend që t’ju nxit nëpërmjet përkujtuesve të mi+ për sa kohë të jem në këtë tendë,*+ 14  sepse e di që së shpejti do të më duhet ta lë këtë tendë, sikurse ma tregoi fare qartë edhe Zotëria ynë, Jezu Krisht.+ 15  Prandaj do të bëj gjithnjë të pamundurën, që të mund t’i kujtoni vetë këto gjëra edhe pasi të largohem. 16  Jo, nuk shkuam pas përrallave të sajuara me mjeshtëri kur ju treguam për fuqinë dhe praninë e Zotërisë tonë Jezu Krisht, por ishim dëshmitarë okularë të madhështisë së tij,+ 17  sepse Perëndia, Ati, burimi i lavdisë madhështore, i dha nder dhe lavdi kur tha këto fjalë:* «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë vetë e kam miratuar.»+ 18  Po, këto fjalë i dëgjuam nga qielli ndërsa ishim bashkë me të në malin e shenjtë. 19  Prandaj, për ne fjala profetike është edhe më e sigurt, dhe ju bëni mirë t’i kushtoni asaj vëmendje si një llambe+ që ndriçon në një vend të errët, në zemrat tuaja, derisa të agojë dita e të ngrihet ylli i mëngjesit.+ 20  Mbi të gjitha, ju e dini se asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim personal, 21  sepse profecitë nuk kanë ardhur kurrë nga iniciativa e njerëzve,+ por njerëzit kanë thënë mesazhin e Perëndisë, të shtyrë nga fryma e shenjtë.+

Shënime në fund të faqes

Ose «të privilegjuar».
Ose «dashamirësi të pamerituar». Shih Fjalorthin.
Ose «na ka dhënë falas».
Ose «na ka dhënë falas».
Ose «të bëheni krijesa qiellore».
Ose «epshore».
Ose «përkushtimin hyjnor». Shih Fjalorthin.
Një mundësi tjetër «është i verbër, dritëshkurtër».
Ose «do t’ju sigurohet një hyrje e lavdishme».
Ose «tabernakull», pra, trupi i tij si njeri në tokë.
Fjalë për fjalë «i tha ky zë».