Libri i dytë i Kronikave 28:1-27

  • Akazi, mbret i Judës (1-4)

  • Mposhtet nga Siria dhe Izraeli (5-8)

  • Odedi paralajmëron Izraelin (9-15)

  • Juda përulet (16-19)

  • Idhujtaria e Akazit; vdekja e tij (20-27)

28  Akazi+ ishte 20 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 16 vjet në Jerusalem. Ndryshe nga Davidi, paraardhësi i tij, ai nuk bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait.+  Përkundrazi, eci në gjurmët e mbretërve të Izraelit+ dhe madje bëri statuja prej metali*+ të Baalëve.  Për më tepër, ai paraqiti tym blatimesh në Luginën e Birit të Hinomit* dhe i dogji bijtë e vet në zjarr,+ duke ndjekur zakonet e neveritshme të kombeve+ që Jehovai kishte dëbuar para izraelitëve.  Akazi bënte edhe flijime e paraqiste tym blatimesh në vendet e larta,+ mbi kodra dhe nën çdo pemë të harlisur.+  Prandaj Jehovai, Perëndia i tij, e dha në dorë të mbretit të Sirisë.+ Ky e mposhti dhe mori prej tij një numër të madh robërish që i çoi në Damask.+ Perëndia e dha edhe në dorë të mbretit të Izraelit, i cili shkaktoi një masakër të madhe.  Kështu Pekahu,+ biri i Remaliahut, në një ditë të vetme vrau 120.000 veta në Judë, të gjithë burra trima, sepse kishin braktisur Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre.+  Edhe Zikri, një luftëtar nga Efraimi, vrau Masejahun, birin e mbretit, Azrikamin, i cili ishte përgjegjës për pallatin mbretëror,* dhe Elkanahun, që ishte i dyti pas mbretit.  Përveç kësaj, izraelitët zunë rob 200.000 gra dhe fëmijë nga judenjtë;* morën edhe shumë plaçkë, që e çuan në Samari.+  Por atje ishte një profet i Jehovait që quhej Oded. Ai i doli para ushtrisë që po vinte në Samari dhe u tha: «Ja, duke qenë se Jehovai, Perëndia i paraardhësve tuaj, ishte i zemëruar me Judën, ai jua dha në dorë,+ por ju i masakruat me një tërbim aq të madh, sa ka arritur deri në qiej. 10  Dhe tani po mendoni ta ktheni popullin e Judës dhe të Jerusalemit në shërbyes e shërbyese për veten tuaj.+ Por, a nuk jeni edhe ju fajtorë para Jehovait, Perëndisë tuaj?! 11  Prandaj më dëgjoni dhe kthejini robërit që keni zënë mes vëllezërve tuaj, sepse zemërimi i Jehovait kundër jush është i zjarrtë.» 12  Atëherë disa nga krerët e efraimitëve, Azariahu, biri i Jehohananit, Berekiahu, biri i Meshilemotit, Jehizkiahu, biri i Shalumit dhe Amasa, biri i Hadlait, u përballën me ata që po vinin nga fushata ushtarake 13  dhe u thanë: «Mos i sillni këtu robërit, sepse do të bëheshim fajtorë para Jehovait. Kjo që doni të bëni, do t’i shtojë mëkatet dhe fajin tonë, sepse tashmë kemi boll faj, dhe zemërimi i Perëndisë kundër Izraelit është i zjarrtë.» 14  Kështu ushtarët e armatosur ua dorëzuan si robërit, edhe plaçkën,+ princave dhe gjithë kongregacionit. 15  Atëherë burrat që ishin caktuar, u ngritën, morën robërit dhe, të gjithë atyre që ishin të zhveshur, u dhanë rroba nga gjërat e plaçkitura. Kështu i veshën, u dhanë sandale, ushqim, pije dhe vaj për lëkurën. Përveç kësaj, ata që nuk kishin fuqi i çuan me gomarë te vëllezërit e tyre, në Jeriko, në qytetin e palmave. Pastaj u kthyen në Samari. 16  Në atë kohë, mbreti Akaz u kërkoi ndihmë mbretërve të Asirisë.+ 17  Edomitët erdhën përsëri, sulmuan Judën dhe morën me vete robër. 18  Edhe filistinët+ sulmuan qytetet e Shefelahut+ dhe të Negebit në Judë. Ata pushtuan Beth-Shemeshin,+ Ajalonin,+ Gederotin, Sokon me fshatrat e tij, Timnahun+ me fshatrat e tij dhe Gimzon me fshatrat e tij, dhe u vendosën me banim në to. 19  Jehovai e përuli Judën për shkak të Akazit, mbretit të Izraelit,* ngaqë e la Judën të shfrenohej dhe, si pasojë, populli u tregua shumë i pabesë ndaj Jehovait. 20  Me kalimin e kohës, Tilgath-Pilneseri,+ mbreti i Asirisë, erdhi kundër tij dhe, në vend që ta ndihmonte, i shkaktoi mjaft vështirësi.+ 21  Vërtet Akazi e kishte zhveshur shtëpinë e Jehovait, shtëpinë e mbretit*+ e të princave, dhe ia kishte dhënë si dhuratë mbretit të Asirisë, por kjo s’i vlejti për asgjë. 22  Gjatë asaj periudhe të vështirë, mbreti Akaz u tregua edhe më i pabesë me Jehovain. 23  Ai filloi t’u bënte flijime perëndive të Damaskut,+ adhuruesit e të cilave e kishin mposhtur,*+ dhe tha: «Meqë perënditë e mbretërve të Sirisë po i ndihmojnë ata, unë do t’u bëj flijime atyre, që të më ndihmojnë edhe mua.»+ Por ato u bënë shkak për rënien e tij dhe të të gjithë Izraelit. 24  Për më tepër, Akazi mblodhi pajisjet e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë, i bëri copë-copë,+ mbylli dyert e shtëpisë së Jehovait+ dhe bëri altarë për vete në çdo cep të Jerusalemit. 25  Në të gjitha qytetet e Judës, ai ngriti vende të larta për t’u paraqitur tym blatimesh perëndive të tjera+ duke e fyer Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tij. 26  Pjesa tjetër e historisë së tij, gjithë veprat që bëri, nga e para deri tek e fundit, është shkruar në Librin e Mbretërve të Judës dhe të Izraelit.+ 27  Në fund Akazi u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në qytet, në Jerusalem, por jo në varret e mbretërve të Izraelit;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Hezekia.

Shënime në fund të faqes

Ose «shtatore të derdhura».
Shih Fjalorthin, «Gehena».
Fjalë për fjalë «shtëpinë».
Fjalë për fjalë «nga vëllezërit e tyre».
Disa herë te 2 Kronikave termi i përgjithshëm «Izrael» përdoret në vend të termit më specifik «Judë».
Ose «pallatin mbretëror».
Fjalë për fjalë «perëndive të Damaskut, që e kishin mposhtur».