Libri i dytë i Kronikave 24:1-27

  • Sundimi i Jehoasit (1-3)

  • Jehoasi restauron tempullin (4-14)

  • Apostazia e Jehoasit (15-22)

  • Jehoasi vritet (23-27)

24  Jehoasi ishte 7 vjeç kur u bë mbret+ dhe mbretëroi 40 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Zibia dhe ishte nga Ber-Sheba.+  Jehoasi bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait gjatë gjithë kohës së priftit Jehojada.+  Jehojada zgjodhi dy gra për të, dhe atij i lindën djem e vajza.  Më pas, Jehoasi dëshironte me gjithë zemër që të restauronte shtëpinë e Jehovait.+  Prandaj mblodhi së bashku priftërinjtë e levitët dhe u tha: «Shkoni në qytetet e Judës dhe mblidhni pará vit për vit nga gjithë Izraeli për të meremetuar shtëpinë e Perëndisë tuaj.+ Bëjeni shpejt këtë punë.» Por levitët nuk vepruan shpejt.+  Kështu mbreti thirri Jehojadën, kreun, dhe i tha:+ «Pse nuk u ke kërkuar llogari levitëve që duhej të sillnin nga Juda dhe Jerusalemi taksën e shenjtë të urdhëruar nga Moisiu,+ shërbëtori i Jehovait, pra, taksën e shenjtë të kongregacionit të Izraelit për tendën e Dëshmisë?+  Se djemtë e gruas së ligë Atalia+ hynë me forcë në shtëpinë e Perëndisë së vërtetë+ dhe përdorën gjithë gjërat e shenjta të shtëpisë së Jehovait për Baalët.»  Atëherë, me urdhër të mbretit, ata bënë një arkë+ dhe e vunë jashtë, në portën e shtëpisë së Jehovait.+  Pas kësaj, ata bënë një shpallje në mbarë Judën dhe Jerusalemin që t’i sillnin Jehovait taksën e shenjtë,+ të cilën Moisiu, shërbëtori i Perëndisë së vërtetë, e kishte vendosur për Izraelin në shkretëtirë. 10  Gjithë princat dhe populli, tërë gëzim,+ sillnin kontribute dhe i hidhnin në arkë, derisa ajo mbushej plot.* 11  Sa herë që levitët sillnin arkën para mbretit e shihnin se kishte shumë pará, sekretari i mbretit dhe i ngarkuari i kreut të priftërinjve vinin, e boshatisnin arkën+ e më pas e kthenin në vendin e vet. Kështu bënin ditë për ditë; e në këtë mënyrë mblodhën shumë para. 12  Pastaj mbreti dhe Jehojada ua jepnin atyre që mbikëqyrnin punën e shërbimit në shtëpinë e Jehovait. Këta merrnin në punë gurprerësit e mjeshtrit për të restauruar shtëpinë e Jehovait,+ si dhe punuesit e hekurit e të bakrit për të meremetuar shtëpinë e Jehovait. 13  Mbikëqyrësit e punës filluan meremetimin dhe, falë mbikëqyrjes së tyre, puna vazhdoi të ecte. Ata e kthyen shtëpinë e Perëndisë së vërtetë në gjendjen e mëparshme dhe e përforcuan. 14  Me të mbaruar, ia çuan paratë që kishin mbetur mbretit dhe Jehojadës. Me to bënë pajisje për shtëpinë e Jehovait, pajisje për shërbimin dhe për blatimet, kupa, pajisje ari dhe argjendi.+ Gjatë gjithë ditëve të Jehojadës, ata bënin rregullisht flijime të djegura+ në shtëpinë e Jehovait. 15  Pas një jete të gjatë e të kënaqshme,* Jehojada vdiq. Ai ishte 130 vjeç kur vdiq. 16  E varrosën në Qytetin e Davidit bashkë me mbretërit,+ sepse kishte bërë mirë në Izrael+ ndaj Perëndisë së vërtetë dhe ndaj shtëpisë së Tij. 17  Pas vdekjes së Jehojadës, princat e Judës erdhën e u përkulën para mbretit, dhe mbreti i dëgjoi. 18  Ata e braktisën shtëpinë e Jehovait, Perëndisë së paraardhësve të tyre, dhe filluan t’u shërbenin shtyllave të shenjta* e idhujve, prandaj Perëndia u zemërua me* Judën dhe Jerusalemin. 19  Jehovai u dërgonte vazhdimisht profetë që të ktheheshin tek Ai. Këta i paralajmëronin vazhdimisht,* por ata nuk pranonin t’i dëgjonin.+ 20  Pastaj fryma e Perëndisë erdhi mbi* Zakarinë, birin e priftit Jehojada.+ Ai doli para popullit dhe u tha: «Kështu thotë Perëndia i vërtetë: ‘Pse i shkelni urdhërimet e Jehovait?! Nuk keni për t’ia dalë mbanë! Meqë e keni braktisur Jehovain, edhe ai do t’ju braktisë.’»+ 21  Por ata komplotuan kundër tij+ dhe, me urdhër të mbretit, e vranë me gurë në oborrin e shtëpisë së Jehovait.+ 22  Kështu mbreti Jehoas nuk e kujtoi dashurinë besnike që i kishte treguar Jehojada, babai i Zakarisë, por ia vrau djalin, i cili tha ndërsa po vdiste: «Jehovai shikoftë dhe të kërkoftë llogari!»+ 23  Në fillim të vitit,* ushtria siriane doli kundër Jehoasit dhe pushtoi Judën dhe Jerusalemin.+ Ata shfarosën gjithë princat+ e popullit dhe tërë plaçkën e tyre ia dërguan mbretit të Damaskut. 24  Edhe pse ushtria pushtuese siriane kishte një numër të vogël burrash, Jehovai u dha në dorë një ushtri shumë të madhe+ ngaqë populli e kishte braktisur Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre. Kështu ata* ekzekutuan gjykimin kundër Jehoasit. 25  Kur këta u tërhoqën prej tij (duke e lënë të plagosur rëndë*), shërbëtorët e vet komplotuan kundër tij dhe e vranë në shtratin e vet,+ sepse kishte derdhur gjakun e djemve* të priftit Jehojada.+ Kështu ai vdiq dhe e varrosën në Qytetin e Davidit,+ por jo në varret e mbretërve.+ 26  Ata që komplotuan+ kundër tij ishin: Zabadi, biri i Shimeatës, amonites, dhe Jehozabadi, biri i Shimritës, moabites. 27  Sa për djemtë e tij, shpalljet e shumta kundër tij+ dhe restaurimin* e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë,+ të gjitha këto janë shkruar në dokumentet* e Librit të Mbretërve. Në vend të tij u bë mbret i biri, Amaziahu.

Shënime në fund të faqes

Një mundësi tjetër «derisa dhanë të gjithë».
Ose «I moshuar dhe i ngopur me vite».
Fjalë për fjalë «pati zemërim ndaj».
Ose «jepnin vazhdimisht dëshmi kundër tyre».
Fjalë për fjalë «e veshi».
Fjalë për fjalë «Në fillim të vitit tjetër».
Domethënë, sirianët.
Ose «me shumë lëngata».
Ose «e djalit». Ka mundësi që shumësi të tregojë madhështi.
Fjalë për fjalë «themelimin».
Ose «shtjellimin; komentarin».