Letra e dytë drejtuar korintasve 5:1-21

  • “Të veshim” banesën tonë qiellore (1-10)

  • Shërbimi i pajtimit (11-21)

    • Një krijesë e re (17)

    • Ambasadorë të Krishtit (20)

5  Ne e dimë në fakt se shtëpia* jonë në tokë, kjo tendë, do të shembet,*+ dhe se Perëndia do të na japë në qiej një shtëpi të përhershme që nuk e kanë bërë duart e njeriut.+  Për sa kohë banojmë në këtë shtëpi,* ne rënkojmë dhe dëshirojmë me zjarr “të veshim” atë që është përgatitur për ne në qiell,*+  që, kur të vijë koha për ta veshur, të mos jemi lakuriq.  Faktikisht, ne që jemi në këtë tendë, rënkojmë dhe jemi të rënduar, jo ngaqë duam të zhveshim këtë tendë, por ngaqë duam të veshim tjetrën,+ me qëllim që jeta të përpijë trupat tanë të vdekshëm.+  Tani, ai që na përgatiti pikërisht për këtë gjë, është Perëndia,+ i cili na dha frymën e tij si kapar* të trashëgimisë sonë.+  Prandaj, edhe pse jemi larg Zotërisë+ ndërkohë që banojmë në këtë shtëpi prej mishi e gjaku, ne ndihemi plotësisht të sigurt,  sepse po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.  Po, nuk kemi pikë dyshimi dhe preferojmë të jemi larg kësaj shtëpie prej mishi e gjaku e të banojmë me Zotërinë.+  Kështu, edhe nëse banojmë me të, edhe nëse jemi larg tij, synojmë të jemi të pranueshëm për të, 10  sepse të gjithë ne duhet të paraqitemi* përpara fronit të gjykimit të Krishtit, që secili të marrë shpërblimin e vet për gjërat që ka bërë kur ishte prej mishi e gjaku, të mira a të këqija* qofshin.+ 11  Prandaj, meqë nderojmë thellësisht Zotërinë,* ne vazhdojmë t’i bindim njerëzit për atë që predikojmë. Gjithsesi, për Perëndinë është e qartë ç’lloj njerëzish jemi,* dhe shpresoj që kjo të jetë e qartë* edhe për ndërgjegjen tuaj. 12  Nuk po jua rekomandojmë përsëri veten, por po ju japim shkas të krenoheni me ne, që të mund t’u përgjigjeni atyre që krenohen me pamjen e jashtme+ dhe jo me atë që kanë në zemër. 13  Tani, nëse ishim të dalë mendsh,+ ishim për Perëndinë, e nëse jemi me mend në kokë, jemi për ju. 14  Vërtet, dashuria që ka Krishti, na motivon,* sepse kemi kuptuar fare qartë se një njeri i vetëm vdiq për të gjithë,+ meqë të gjithë ishin të vdekur. 15  Prandaj ai vdiq për të gjithë, me qëllim që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për veten,*+ por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit. 16  Kështu, që tani e tutje nuk e shohim më askënd sipas kritereve njerëzore.*+ Edhe pse dikur e shihnim Krishtin sipas këtyre kritereve, sigurisht që tani nuk e shohim më kështu.+ 17  Prandaj, nëse dikush është në unitet me Krishtin, është një krijesë e re;+ gjërat e vjetra shkuan dhe gjëra të reja kanë ardhur në jetë. 18  Por të gjitha këto vijnë nga Perëndia, që na pajtoi me veten nëpërmjet Krishtit+ dhe na besoi shërbimin e pajtimit:+ 19  me fjalë të tjera, Perëndia pajtoi botën me veten nëpërmjet Krishtit,+ duke mos ia llogaritur fajet,+ kurse neve na besoi mesazhin e pajtimit.+ 20  Prandaj, ne jemi ambasadorë+ në vend të Krishtit,+ sikur Perëndia të përgjërohej nëpërmjet nesh. Në emër të Krishtit, lutemi: «Pajtohuni me Perëndinë.» 21  Atë që nuk njohu mëkat,+ Perëndia e paraqiti si blatim për mëkatet tona,* që me anë të tij, të bëhemi të drejtë në sytë e Perëndisë.+

Shënime në fund të faqes

Fjalët «shtëpi» dhe «banesë» përdoren në kuptim të figurshëm për t’iu referuar trupit si krijesë prej mishi e gjaku ose si krijesë qiellore.
Ose «do të shpërbëhet».
Ose «banesë».
Ose «në banesën tonë qiellore».
Ose «parapagesë (paradhënie); garanci (peng)».
Ose «duhet të shfaqemi».
Ose «të poshtra».
Fjalë për fjalë «i frikësohemi Zotërisë».
Ose «ne vetë jemi shfaqur para Perëndisë».
Ose «të jemi shfaqur».
Ose «na nxit; na detyron».
Ose «për të kënaqur veten».
Fjalë për fjalë «sipas mishit».
Fjalë për fjalë «e bëri mëkat për ne».