Libri i dytë i Mbretërve 22:1-20

  • Josia, mbret i Judës (1, 2)

  • Udhëzime për meremetimin e tempullit (3-7)

  • Gjendet libri i Ligjit (8-13)

  • Profecia e Huldës për shkatërrimin (14-20)

22  Josia+ ishte 8 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 31 vjet në Jerusalem.+ Nëna e tij quhej Jedida dhe ishte vajza e Adajahut nga Bozkati.+  Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait dhe eci plotësisht në gjurmët e Davidit, paraardhësit të tij,+ e nuk u kthye as djathtas, as majtas.  Në vitin e 18-të të mbretërimit, Josia e dërgoi sekretarin Shafan, birin e Azaliahut, që ishte i biri i Meshulamit, te shtëpia e Jehovait,+ duke i thënë:  «Ngjitu te kryeprifti Hilkiah+ dhe thuaji të grumbullojë të gjitha paratë që janë çuar në shtëpinë e Jehovait,+ të cilat derëtarët i kanë mbledhur nga populli,+  e këto pará t’ua japë atyre që janë caktuar të mbikëqyrin punën në shtëpinë e Jehovait. Këta t’ua japin atyre që meremetojnë dëmet* në shtëpinë e Jehovait,+  pra, mjeshtërve, ndërtuesve dhe muratorëve, si dhe të blejnë dru e gurë të latuar për të meremetuar shtëpinë.+  Por, atyre që u jepen paratë, nuk duhet t’u kërkohet llogari për to, sepse janë të besueshëm.»+  Më vonë kryeprifti Hilkiah i tha sekretarit Shafan:+ «Në shtëpinë e Jehovait kam gjetur librin e Ligjit.»+ Kështu Hilkiahu ia dha librin Shafanit, e ai filloi ta lexonte.+  Atëherë sekretari Shafan vajti te mbreti dhe e njoftoi: «Shërbëtorët e tu i kanë nxjerrë nga arka paratë që gjetën në shtëpi dhe ua kanë dhënë atyre që janë caktuar të mbikëqyrin punën në shtëpinë e Jehovait.»+ 10  Pastaj sekretari Shafan i tregoi mbretit: «Prifti Hilkiah më ka dhënë një libër.»+ Atëherë Shafani nisi ta lexonte atë para mbretit. 11  Me të dëgjuar fjalët e librit të Ligjit, mbreti shqeu rrobat.+ 12  Atëherë mbreti urdhëroi priftin Hilkiah, Ahikamin,+ birin e Shafanit, Akborin, birin e Mikajahut, sekretarin Shafan dhe Asajahun, shërbëtorin e mbretit: 13  «Shkoni, kërkoni drejtimin e Jehovait për mua, për popullin dhe për gjithë Judën në lidhje me fjalët e këtij libri që është gjetur, sepse Jehovait i është ndezur një tërbim i madh kundër nesh,+ ngaqë paraardhësit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri, duke mos zbatuar gjithçka që është shkruar për ne.» 14  Kështu prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Hulda.+ Ajo ishte gruaja e Shalumit, kujdestarit të rrobave, i cili ishte bir i Tikvahut, birit të Harhasit; banonte në Jerusalem, në Lagjen e Dytë. Ata folën me të+ 15  dhe ajo iu përgjigj: «Këtë ka thënë Jehovai, Perëndia i Izraelit: “I thoni atij që ju ka dërguar tek unë: 16  ‘Kështu thotë Jehovai: “Ja, unë po sjell shkatërrimin mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, sipas të gjitha fjalëve të librit që ka lexuar+ mbreti i Judës. 17  Ngaqë më kanë braktisur dhe po u paraqitin tym blatimesh perëndive të tjera,+ për të më fyer me gjithë veprën e duarve të tyre,+ tërbimi im kundër këtij vendi do të ndizet dhe s’do të shuhet.”’+ 18  Por mbretit të Judës që ju ka dërguar për të kërkuar drejtimin e Jehovait, i thoni: ‘Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ke dëgjuar: 19  “Meqë t’u prek* zemra dhe u përule+ para Jehovait sapo dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vendi e banorëve të tij​—se do t’u binte një mallkim dhe se popujt do të llahtariseshin prej tyre—​dhe shqeve rrobat+ e qave para meje, edhe unë të dëgjova,​—thotë Jehovai.—​ 20  Prandaj do të të bashkoj me paraardhësit e tu,* dhe ti ke për të shkuar në varr në paqe. Sytë e tu nuk do ta shohin gjithë shkatërrimin që do t’i sjell këtij vendi.”’”» Atëherë ata ia çuan përgjigjen mbretit.

Shënime në fund të faqes

Ose «plasaritjet».
Fjalë për fjalë «t’u zbut».
Kjo është një shprehje poetike për vdekjen.