Libri i dytë i Mbretërve 20:1-21

  • Sëmundja dhe shërimi i Hezekisë (1-11)

  • Të dërguarit nga Babilonia (12-19)

  • Vdekja e Hezekisë (20, 21)

20  Ato ditë Hezekia u sëmur për vdekje.+ Profeti Isaia, biri i Amozit, vajti dhe i tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Jepu udhëzimet e fundit njerëzve të shtëpisë, sepse ti nuk do ta marrësh veten, por do të vdesësh.’»+  Atëherë Hezekia u kthye me fytyrë nga muri dhe filloi t’i lutej Jehovait:  «Të përgjërohem, o Jehova. Të lutem, kujto si të kam shërbyer me besnikëri e si të jam kushtuar me gjithë zemër, dhe se si kam bërë atë që të ka pëlqyer ty.»+ E Hezekia ia dha të qarit.  Isaia nuk kishte dalë ende në oborrin qendror, kur fjala e Jehovait iu drejtua:+  «Kthehu e thuaji Hezekisë, udhëheqësit të popullit tim: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Davidit, paraardhësit tënd: ‘E dëgjova lutjen tënde. I pashë lotët e tu.+ Ja, unë po të shëroj,+ dhe ditën e tretë do të ngjitesh në shtëpinë e Jehovait.+  Unë do t’i shtoj 15 vjet jetës sate* e do të të shpëtoj ty dhe këtë qytet nga dora e mbretit të Asirisë.+ Do ta mbroj këtë qytet për hir të emrit tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim.’”»+  Pastaj Isaia tha: «Merrni një bukëfiqe.» Ata e morën dhe e vunë mbi çiban,* e pas kësaj ai u shërua dalëngadalë.+  Ndërkohë Hezekia e kishte pyetur Isainë: «Cila është shenja+ se Jehovai do të më shërojë dhe se ditën e tretë do të ngjitem në shtëpinë e Jehovait?»  Isaia ia kishte kthyer: «Kjo është shenja nga Jehovai për të të treguar se Jehovai do ta bëjë atë që ka thënë: a do që hija mbi shkallë* të shkojë dhjetë shkallë përpara apo të kthehet dhjetë shkallë pas?»+ 10  Hezekia i kishte thënë: «Është e lehtë që hija të shkojë përpara dhjetë shkallë, por jo që të kthehet dhjetë shkallë pas.» 11  Atëherë profeti Isaia i ishte lutur Jehovait, dhe Ai kishte bërë që hija mbi shkallët e Akazit, e cila tashmë kishte zbritur, të kthehej prapa dhjetë shkallë.+ 12  Në atë kohë, mbreti i Babilonisë, Berodak-Baladani, biri i Baladanit, i dërgoi Hezekisë letra dhe një dhuratë, sepse kishte dëgjuar se Hezekia kishte qenë i sëmurë.+ 13  Hezekia i mirëpriti* të dërguarit dhe u tregoi gjithë shtëpinë e tij të thesarit:+ argjendin, arin, vajin e balsamit, vajrat e tjera cilësore, arsenalin e armëve, si dhe gjithçka kishte në thesar. Ai s’la gjë pa u treguar nga shtëpia* dhe nga mbretëria e vet. 14  Pas kësaj profeti Isaia vajti te mbreti Hezekia dhe e pyeti: «Ç’thanë ata burra dhe nga vinin?» Hezekia iu përgjigj: «Vinin nga një vend i largët, nga Babilonia.»+ 15  Isaia vazhdoi: «Ç’panë në shtëpinë tënde?» Hezekia iu përgjigj: «Panë gjithçka. S’lashë gjë pa u treguar nga thesari im.» 16  Atëherë Isaia i tha Hezekisë: «Dëgjo se çfarë thotë Jehovai:+ 17  ‘Ja, po vijnë ditët kur gjithçka që gjendet në shtëpinë tënde dhe që paraardhësit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohet në Babiloni.+ S’do të mbetet asgjë,—thotë Jehovai.— 18  Edhe disa nga djemtë që do të të lindin, do t’i marrin+ dhe do t’i bëjnë zyrtarë oborri në pallatin e mbretit të Babilonisë.’»+ 19  Atëherë Hezekia i tha Isaisë: «Jam dakord me këto fjalë të Jehovait.»+ Pastaj shtoi: «Jam mirënjohës që do të ketë paqe dhe stabilitet* gjatë jetës sime.»*+ 20  Pjesa tjetër e historisë së Hezekisë, gjithë bëmat e tij, se si bëri rezervuarin+ dhe kanalin për të sjellë ujë në qytet,+ a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës? 21  Në fund Hezekia u preh me paraardhësit e vet+ dhe në vend të tij u bë mbret i biri,+ Manaseu.+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «ditëve të tua».
Ose «mbi të thatin».
Ndoshta këto shkallë përdoreshin për të llogaritur kohën, si një orë diellore.
Ose «i dëgjoi».
Ose «nga pallati mbretëror».
Ose «të vërtetë».
Fjalë për fjalë «ditëve të mia».