Libri i dytë i Mbretërve 17:1-41

  • Hoshea, mbret i Izraelit (1-4)

  • Rënia e Izraelit (5, 6)

  • Izraelin e çojnë në mërgim për shkak të apostazisë (7-23)

  • Në qytetet samaritane sjellin të huaj (24-26)

  • Feja e përzier e samaritanëve (27-41)

17  Në vitin e 12-të të mbretërimit të Akazit, mbretit të Judës, Hoshea,+ biri i Elahut, u bë mbret i Izraelit në Samari, ku mbretëroi 9 vjet.  Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, por jo aq sa mbretërit e Izraelit para tij.  Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, erdhi për të luftuar kundër tij,+ dhe Hoshea u bë shërbëtori i tij e filloi t’i paguante haraç.+  Megjithatë, mbretit të Asirisë i ra në vesh se Hoshea ishte përfshirë në një komplot duke i dërguar lajmëtarë Soit, mbretit të Egjiptit,+ dhe nuk ia kishte paguar haraçin mbretit të Asirisë si në vitet e mëparshme. Prandaj mbreti i Asirisë e futi në burg dhe e mbajti të lidhur atje.  Mbreti i Asirisë pushtoi gjithë vendin; erdhi në Samari dhe e mbajti të rrethuar për tre vjet.  Në vitin e 9-të të mbretërimit të Hoshesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë+ dhe Izraelin e çoi në mërgim+ në Asiri. Ai i detyroi izraelitët të banonin në Halah e në Habor, pranë lumit Gozan,+ dhe në qytetet e medëve.+  Kjo ndodhi sepse populli i Izraelit kishte mëkatuar kundër Jehovait, Perëndisë së tij, që e nxori nga Egjipti duke e çliruar nga zgjedha e faraonit, mbretit të Egjiptit.+ Izraelitët adhuruan* perëndi të tjera,+  ndoqën zakonet e kombeve që Jehovai i kishte dëbuar përpara tyre dhe zakonet që kishin vendosur mbretërit e Izraelit.  Izraelitët shkuan pas gjërave që nuk ishin të drejta në sytë e Jehovait, Perëndisë së tyre. Ndërtuan vende të larta në të gjitha qytetet,+ nga kullat e rojës deri te qytetet e fortifikuara.* 10  Ata ngritën kolona të shenjta dhe shtylla të shenjta*+ në çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të harlisur.+ 11  Në tërë vendet e larta paraqitnin tym blatimesh, ashtu si kishin bërë kombet që Jehovai i kishte dëbuar para tyre.+ Bënin gjëra të liga për ta fyer Jehovain. 12  U shërbenin idhujve të pështirë,*+ edhe pse Jehovai u kishte thënë: «Mos e bëni këtë gjë!»+ 13  Me anë të gjithë profetëve dhe vegimtarëve,* Jehovai e paralajmëronte Izraelin dhe Judën:+ «Kthehuni nga udhët tuaja të liga!+ Zbatoni urdhërimet e normat e mia, sipas gjithë ligjit që u urdhërova paraardhësve tuaj dhe që jua dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve.» 14  Mirëpo ata nuk dëgjonin, por mbetën po aq kokëfortë sa* paraardhësit e tyre që nuk kishin treguar besim te Jehovai, Perëndia i tyre.+ 15  Ata i hidhnin poshtë rregullat e tij dhe besëlidhjen+ që kishte bërë me paraardhësit e tyre, si dhe përkujtuesit me të cilët i kishte paralajmëruar.+ Adhuruan idhuj të kotë+ e u bënë të kotë edhe vetë,+ duke imituar kombet përreth, që Jehovai i kishte urdhëruar të mos i imitonin.+ 16  Ata braktisën tërë urdhërimet e Jehovait, Perëndisë së tyre, dhe bënë statuja prej metali* të dy viçave,+ si dhe një shtyllë të shenjtë.*+ U përkulën para gjithë ushtrisë së qiejve+ e i shërbyen Baalit.+ 17  Bijtë dhe bijat e tyre i dogjën në zjarr,*+ u morën me fall+ e kërkuan ogure,* dhe vazhdimisht u dhanë pas* asaj që ishte e keqe në sytë e Jehovait për ta fyer atë. 18  Prandaj Jehovai u zemërua kaq shumë me Izraelin, saqë e flaku larg vetes.+ Ai nuk la asnjë, përveç fisit të Judës. 19  As Juda nuk i zbatoi urdhërimet e Jehovait, Perëndisë së vet,+ por ndoqi të njëjtat zakone si Izraeli.+ 20  Jehovai i hodhi poshtë të gjithë pasardhësit e Izraelit, i poshtëroi dhe i dha në duart e zhvatësve, derisa i flaku tej nga prania e tij. 21  Ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, dhe ata bënë mbret Jeroboamin, birin e Nebatit.+ Por Jeroboami e largoi Izraelin nga Jehovai, dhe e nxiti të kryente një mëkat të rëndë. 22  Izraelitët vazhduan të kryenin të gjitha mëkatet që kishte bërë Jeroboami.+ Nuk hoqën dorë prej tyre, 23  derisa Jehovai e flaku larg vetes Izraelin, ashtu si kishte shpallur me anë të gjithë shërbëtorëve të tij, profetëve.+ Kështu Izraelin e nxorën nga vendi i vet dhe e çuan në mërgim në Asiri,+ ku ndodhet deri sot e kësaj dite. 24  Pas kësaj, mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, Kutahu, Ava, Hamathi dhe nga Sefarvaimi+ që të banonin në qytetet e Samarisë, në vend të izraelitëve. Ata shtinë në dorë Samarinë e banuan në qytetet e saj. 25  Kur filluan të banonin atje, nuk e adhuronin Jehovain,* prandaj Jehovai dërgoi luanë+ që vranë disa prej njerëzve. 26  Mbretit të Asirisë i raportuan: «Kombet që i çove në mërgim dhe i vendose në qytetet e Samarisë nuk e njohin fenë* e Perëndisë së vendit. Prandaj ai vazhdon të dërgojë luanë, të cilët po i vrasin njerëzit, sepse asnjë prej tyre nuk e njeh fenë e Perëndisë së vendit.» 27  Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi: «Të dërgohet një nga priftërinjtë e mërguar. Të kthehet e të banojë atje që t’u mësojë fenë e Perëndisë së vendit.» 28  Kështu një nga priftërinjtë e mërguar nga Samaria u kthye që të banonte në Bethel+ dhe filloi t’u mësonte atyre se si të adhuronin Jehovain.*+ 29  Megjithatë, secili komb bëri perëndinë* e tij dhe e vuri në shenjtëroret e vendeve të larta që kishin bërë samaritanët, secili në qytetin ku banonte. 30  Burrat e Babilonisë bënë Sukot-Benotin, burrat e Kutit bënë Nergalin, kurse burrat e Hamathit+ bënë Ashimën. 31  Avitët bënë Nibazin dhe Tartakun. Sefarvaimët i digjnin bijtë e vet në zjarrin e bërë për Adramelekun dhe Anamelekun, perënditë e Sefarvaimit.+ 32  Ndonëse e adhuronin Jehovain, ata emëruan njerëz të zakonshëm si priftërinj për vendet e larta. Këta kryenin shërbime në shenjtëroret e vendeve të larta.+ 33  Pra, ata adhuronin Jehovain, por adhuronin edhe perënditë e veta, sipas fesë* së kombeve nga ishin shpërngulur.+ 34  Deri sot e kësaj dite, ata kanë ndjekur fetë* e mëparshme. Asnjë nuk ka adhuruar Jehovain* dhe asnjë nuk ka zbatuar normat e tij, vendimet e tij gjyqësore, Ligjin dhe urdhërimet që Jehovai u kishte dhënë bijve të Jakobit, të cilit më pas ia ndryshoi emrin në Izrael.+ 35  Kur Jehovai bëri një besëlidhje me ta,+ i urdhëroi: «Mos adhuroni perëndi të tjera, mos u përkulni para tyre, mos u shërbeni dhe mos bëni flijime për to.+ 36  Por duhet të më adhuroni mua, Jehovain,+ që ju nxora nga Egjipti me forcën time të madhe dhe me krahun tim të fuqishëm,*+ para meje përkuluni dhe mua më bëni flijime. 37  Zbatoni gjithmonë me kujdes rregullat, vendimet gjyqësore, Ligjin dhe urdhërimet që shkrova për ju.+ Mos adhuroni perëndi të tjera. 38  Mos harroni besëlidhjen që kam bërë me ju+ dhe mos adhuroni perëndi të tjera, 39  por më adhuroni mua, Jehovain, Perëndinë tuaj, sepse unë do t’ju çliroj nga dora e tërë armiqve tuaj.» 40  Mirëpo ata nuk u bindën dhe ndoqën fetë* e mëparshme.+ 41  Prandaj, këto kombe adhuronin Jehovain,+ por ndërkohë u shërbenin edhe shëmbëlltyrave të tyre të skalitura. Si bijtë, ashtu edhe nipërit e tyre, kanë vepruar tamam si paraardhësit e tyre, deri sot e kësaj dite.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «patën frikë».
Domethënë, në çdo vend, qoftë me popullsi të dendur a të rrallë.
Kjo fjalë hebraike mund të lidhet me një fjalë që do të thotë «bajgë» dhe përdoret për të shprehur përbuzje.
Fjalë për fjalë «e ngurtësuan qafën si».
Ose «shtatore të derdhur».
Fjalë për fjalë «i kaluan në zjarr».
Ose «shenja».
Fjalë për fjalë «iu shitën».
Fjalë për fjalë «nuk i frikësoheshin Jehovait». Shih Fjalorthin.
Ose «zakonet fetare».
Fjalë për fjalë «t’i frikësoheshin Jehovait». Shih Fjalorthin.
Ose «perënditë».
Ose «zakoneve fetare».
Ose «zakonet fetare».
Fjalë për fjalë «nuk i është frikësuar Jehovait». Shih Fjalorthin.
Fjalë për fjalë «të shtrirë».
Ose «zakonet fetare».