Libri i dytë i Mbretërve 14:1-29

  • Amaziahu, mbret i Judës (1-6)

  • Luftë me Edomin dhe me Izraelin (7-14)

  • Vdekja e Jehoasit, mbretit të Izraelit (15, 16)

  • Vdekja e Amaziahut (17-22)

  • Jeroboami II, mbret i Izraelit (23-29)

14  Në vitin e dytë të mbretërimit të Jehoasit,+ birit të Jehoahazit, mbretit të Izraelit, Amaziahu, biri i Jehoasit, mbretit të Judës, u bë mbret.  Ai ishte 25 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 29 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Jehoadina dhe ishte nga Jerusalemi.+  Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, por jo si Davidi,+ paraardhësi i tij. Ai bëri gjithçka si i ati, Jehoasi.+  Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën+ dhe populli flijonte ende në këto vende dhe paraqiste në to tym blatimesh.+  Me të forcuar mbretërinë, Amaziahu vrau shërbëtorët që i kishin vrarë babanë, mbretin.+  Por nuk vrau djemtë e vrasësve, duke vepruar sipas urdhrit të Jehovait, të shkruar në librin e Ligjit të Moisiut: «Baballarët nuk duhet të vdesin për mëkatin e fëmijëve, dhe fëmijët nuk duhet të vdesin për mëkatin e baballarëve. Gjithsekush duhet të ekzekutohet për mëkatin e vet.»+  Ai vrau 10.000 burra edomitë+ në Luginën e Kripës,+ dhe arriti të pushtonte me luftë Selën,+ së cilës ia vunë emrin Jokthel, siç quhet edhe sot e kësaj dite.  Atëherë Amaziahu i dërgoi lajmëtarë Jehoasit, birit të Jehoahazit, që ishte biri i Jehut, mbretit të Izraelit, për t’i thënë: «Të ndeshemi në betejë!»*+  Jehoasi, mbreti i Izraelit, i dërgoi këtë mesazh Amaziahut, mbretit të Judës: «Gjembaçi i Libanit dërgoi t’i thoshin cedrit të Libanit: ‘Ma jep vajzën tënde si nuse për djalin tim.’ Por një egërsirë e Libanit kaloi andej dhe e shkeli gjembaçin. 10  Vërtet, e munde Edomin,+ dhe zemra t’u bë arrogante. Kënaqu me lavdinë që ke, por qëndro në shtëpinë tënde.* Pse të marrësh në qafë veten dhe Judën bashkë me ty?» 11  Por Amaziahu nuk dëgjoi.+ Kështu Jehoasi, mbreti i Izraelit, shkoi dhe u ndesh në betejë me Amaziahun, mbretin e Judës, në Beth-Shemesh+ të Judës.+ 12  Juda u mund nga Izraeli, kështu që secili ia mbathi në shtëpinë* e vet. 13  Jehoasi, mbreti i Izraelit, e kapi rob në Beth-Shemesh Amaziahun, mbretin e Judës, birin e Jehoasit, që ishte biri i Ahaziahut. Pastaj ata vajtën në Jerusalem, dhe ai hapi një të çarë 400 kute* në murin e Jerusalemit, nga Porta e Efraimit+ deri në Portën e Qoshes.+ 14  Ai mori tërë arin dhe argjendin, si dhe gjithë sendet që ishin në shtëpinë e Jehovait dhe në thesarin e shtëpisë së mbretit. Mori edhe pengje, e më pas u kthye në Samari. 15  Pjesa tjetër e historisë së Jehoasit, gjithçka bëri, bëmat e tij dhe si luftoi kundër Amaziahut, mbretit të Judës, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 16  Në fund Jehoasi u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën në Samari+ me mbretërit e Izraelit; në vend të tij u bë mbret i biri, Jeroboami.*+ 17  Amaziahu,+ biri i Jehoasit, mbretit të Judës, jetoi edhe 15 vjet pas vdekjes së Jehoasit,+ birit të Jehoahazit, mbretit të Izraelit.+ 18  Pjesa tjetër e historisë së Amaziahut, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës? 19  Së fundi kundër Amaziahut thurën një komplot+ në Jerusalem dhe ai ia mbathi në Lakish, por dërguan njerëz që ta ndiqnin, të cilët e vranë në Lakish. 20  Kështu e sollën me kuaj dhe e varrosën me paraardhësit e tij në Qytetin e Davidit, në Jerusalem.+ 21  Atëherë tërë populli i Judës mori Azariahun,*+ që ishte 16 vjeç,+ dhe e bëri mbret në vend të babait, Amaziahut.+ 22  Azariahu e pushtoi Elathin+ për Judën dhe e rindërtoi, pasi mbreti* u preh me paraardhësit e tij.+ 23  Në vitin e 15-të të mbretërimit të Amaziahut, birit të Jehoasit, mbretit të Judës, Jeroboami,+ biri i Jehoasit, mbretit të Izraelit, u bë mbret në Samari e mbretëroi 41 vjet. 24  Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe nuk hoqi dorë nga gjithë mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ 25  Ai rivendosi kufirin e Izraelit, që nga Lebo-Hamathi*+ deri në detin e Arabahut,*+ sipas fjalës që tha Jehovai, Perëndia i Izraelit, me anë të shërbëtorit të tij Jonait,+ birit të Amitait, profetit nga Gath-Heferi.+ 26  Se Jehovai e kishte parë mundimin shumë të madh të Izraelit.+ Nuk kishin mbetur as të pambrojturit dhe as të dobëtit; nuk kishte as edhe një që t’i vinte në ndihmë Izraelit. 27  Por Jehovai kishte premtuar se nuk do ta shuante emrin e Izraelit nën qiell.+ Prandaj e shpëtoi me anë të dorës së Jeroboamit, birit të Jehoasit.+ 28  Pjesa tjetër e historisë së Jeroboamit, gjithçka bëri dhe gjithë bëmat e tij, si luftoi dhe si ia riktheu Damaskun+ e Hamathin+ Judës në Izrael, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 29  Në fund Jeroboami u preh me paraardhësit e tij, me mbretërit e Izraelit; në vend të tij u bë mbret i biri, Zakaria.+

Shënime në fund të faqes

Ose «Të ndeshemi ballë për ballë!»
Ose «pallatin mbretëror».
Fjalë për fjalë «tendën».
Rreth 178 m. Shih Shtojcën B14.
Domethënë, Jeroboami ll.
Do të thotë «Jehovai ka ndihmuar». Quhet Uziah te 2Mb 15:13; 2Kr 26:1-23; Is 6:1 dhe Za 14:5.
Domethënë, babai i tij, Amaziahu.
Ose «nga hyrja e Hamathit».
Domethënë, Deti i Kripur ose Deti i Vdekur.