Libri i dytë i Mbretërve 11:1-21

  • Atalia uzurpon fronin (1-3)

  • Jehoasi bëhet mbret fshehurazi (4-12)

  • Atalia vritet (13-16)

  • Reformat e Jehojadës (17-21)

11  Tani, kur Atalia,+ nëna e Ahaziahut, pa që i biri kishte vdekur,+ u ngrit dhe shfarosi tërë linjën mbretërore.*+  Mirëpo Jehosheba, bija e mbretit Jehoram, motra e Ahaziahut, mori Jehoasin,+ birin e Ahaziahut, e nxori vjedhurazi nga bijtë e mbretit që do të vriteshin dhe e fshehu bashkë me tajën* e tij në një dhomë gjumi. Ata arritën ta mbanin të fshehtë nga Atalia, kështu që ai nuk u vra.  Për gjashtë vjet, ai qëndroi i fshehur me të në shtëpinë e Jehovait, ndërkohë që në vend sundonte Atalia.  Vitin e shtatë Jehojada dërgoi të thërritnin krerët e qindësheve të truprojës mbretërore* dhe të rojave*+ të pallatit mbretëror, që të vinin tek ai në shtëpinë e Jehovait. Ai bëri një pakt* me ta dhe i vuri të betoheshin në shtëpinë e Jehovait. Pastaj u tregoi birin e mbretit.+  Jehojada urdhëroi: «Do të bëni kështu: një e treta juaj do të jetë në detyrë në Sabat dhe do të ruajë mirë shtëpinë e mbretit,*+  një e treta do të jetë në Portën e Themelit dhe një e treta do të jetë në portën prapa rojave të pallatit mbretëror. Do ta ruani tempullin me radhë.  Dy ndarjet që nuk janë në detyrë në Sabat, duhet të rrinë e të ruajnë mirë shtëpinë e Jehovait, për të mbrojtur mbretin.  Rrini rreth e qark mbretit, secili me armët e veta në dorë. Ai që hyn brenda radhëve, të vritet. Qëndroni me mbretin kudo që ai shkon.»*  Krerët e qindësheve+ bënë pikërisht atë që u urdhëroi prifti Jehojada. Kështu secili mori njerëzit e vet që ishin në detyrë atë Sabat, bashkë me ata që nuk ishin në detyrë atë Sabat, dhe vajtën te prifti Jehojada.+ 10  Atëherë prifti u dha krerëve të qindësheve heshtat dhe mburojat e rrumbullakëta të mbretit David, që ishin në shtëpinë e Jehovait. 11  Rojat e pallatit mbretëror+ zunë vend secili me armët e veta në dorë, nga ana e djathtë e shtëpisë deri në anën e majtë të saj, afër altarit,+ afër shtëpisë, pra përreth mbretit. 12  Pastaj Jehojada nxori birin e mbretit,+ i vuri në kokë kurorën* dhe Dëshminë.*+ Pasi e bënë mbret dhe e mirosën,* filluan të brohoritnin: «Rroftë mbreti!»+ 13  Sapo dëgjoi zhurmën e popullit që vraponte, Atalia vajti te populli në shtëpinë e Jehovait.+ 14  Pastaj pa mbretin që qëndronte pranë shtyllës, sipas zakonit në raste të tilla.+ Me të ishin krerët dhe trumbetarët,+ ndërsa gjithë populli gëzonte dhe u binte trumbetave. Menjëherë Atalia shqeu rrobat dhe thirri: «Komplot! Komplot!» 15  Por prifti Jehojada i urdhëroi krerët e qindësheve,+ të emëruarit e ushtrisë: «Nxirreni nga radhët dhe vritni me shpatë këdo që i shkon pas!» Në fakt prifti kishte thënë: «Mos e vritni në shtëpinë e Jehovait.» 16  Kështu ata e kapën dhe, kur arritën në vendin ku kuajt hynin për në shtëpinë e mbretit,+ e vranë. 17  Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje mes Jehovait, mbretit dhe popullit,+ se do të vazhdonin të ishin populli i Jehovait. Ai bëri edhe një besëlidhje mes mbretit dhe popullit.+ 18  Pas kësaj gjithë populli vajti në tempullin* e Baalit dhe rrëzoi altarët e tij;+ shëmbëlltyrat* e tij i bënë copë-copë,+ kurse Matanin, priftin e Baalit,+ e vranë para altarëve. Pastaj prifti emëroi mbikëqyrës në shtëpinë e Jehovait.+ 19  Gjithashtu ai i mori krerët e qindësheve,+ truprojën mbretërore,* rojat e pallatit mbretëror+ dhe tërë popullin, që ta shoqëronin mbretin nga shtëpia e Jehovait për te shtëpia e mbretit, duke kaluar nga porta e rojave të pallatit mbretëror. Pastaj ai u ul në fronin e mbretërve.+ 20  Kështu gjithë populli gëzonte dhe qyteti pati paqe, sepse Atalinë e kishin vrarë me shpatë në shtëpinë e mbretit. 21  Jehoasi+ ishte 7 vjeç kur u bë mbret.+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «tërë farën mbretërore».
Ose «dadon».
Fjalë për fjalë «kariene».
Fjalë për fjalë «të vrapuesve».
Ose «një besëlidhje».
Ose «pallatin mbretëror».
Fjalë për fjalë «kur të dalë dhe kur të hyjë».
Ose «diademën».
Ka mundësi një rrotull që kishte Ligjin e Perëndisë.
Fjalë për fjalë «shtëpinë».
Ose «Idhujt».
Fjalë për fjalë «kariene».