Libri i dytë i Mbretërve 10:1-36

  • Jehu shfaros shtëpinë e Akabit (1-17)

    • Jehonadabi bashkohet me Jehun (15-17)

  • Jehu vret adhuruesit e Baalit (18-27)

  • Përmbledhje e mbretërimit të Jehut (28-36)

10  Tani Akabi+ kishte 70 djem në Samari. Prandaj Jehu shkroi letra dhe ua dërgoi në Samari princave të Jezrelit, pleqve+ dhe kujdestarëve të fëmijëve të Akabit.* Në to thuhej:  «Kur t’ju vijë kjo letër, meqë me ju do të jenë djemtë e zotërisë tuaj dhe do të keni karrocat e luftës, kuajt, një qytet të fortifikuar dhe armë,  zgjidhni më të mirin e më të përshtatshmin* nga djemtë e zotërisë tuaj dhe vëreni në fronin e të atit. Pastaj luftoni për shtëpinë e zotërisë tuaj.»  Por ata u frikësuan shumë dhe thanë: «Ja, nëse dy mbretër nuk i bënë dot ballë atij,+ si mund t’i bëjmë ballë ne?»  Prandaj përgjegjësi i pallatit mbretëror,* guvernatori i qytetit, pleqtë dhe kujdestarët e fëmijëve i dërguan Jehut këtë mesazh: «Ne jemi shërbëtorët e tu dhe do të bëjmë çdo gjë që do të na thuash. Nuk do të bëjmë mbret asnjë. Bëj si të të duket më mirë.»  Atëherë ai u shkroi një letër të dytë, ku thoshte: «Nëse jeni me mua dhe jeni gati të më bindeni, nesër, në këtë kohë, ejani tek unë në Jezrel dhe më sillni kokat e djemve të zotërisë tuaj.» Tani, 70 djemtë e mbretit ishin me njerëzit e shquar të qytetit, të cilët i rritnin.  Me të ardhur letra, këta i morën djemtë e mbretit dhe i therën të 70 djemtë,+ pastaj i futën kokat e tyre nëpër shporta dhe ia dërguan Jehut në Jezrel.  Lajmëtari vajti e i tha: «Kanë sjellë kokat e djemve të mbretit.» Jehu tha: «Vendosini në dy pirgje te hyrja e portës së qytetit dhe lërini atje deri në mëngjes.»  Kur ai doli në mëngjes, qëndroi para gjithë popullit dhe tha: «Ju qenkeni të pafajshëm.* Unë vërtet komplotova kundër zotërisë tim dhe e vrava,+ por gjithë këta kush i vrau? 10  Prandaj, dijeni se as edhe një nga fjalët e Jehovait, që Jehovai shpalli kundër shtëpisë së Akabit, nuk do të mbetet pa u plotësuar;*+ Jehovai ka bërë atë që tha me anë të shërbëtorit të tij Elija.»+ 11  Veç kësaj, Jehu vrau të gjithë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Akabit në Jezrel, si dhe gjithë burrat e shquar, të njohurit dhe priftërinjtë e tij,+ e nuk la gjallë asnjë.+ 12  Pastaj u nis për në Samari. Rrugës gjendej kasollja* ku barinjtë mbanin dhentë. 13  Atje Jehu takoi vëllezërit e Ahaziahut,+ mbretit të Judës dhe i pyeti: «Cilët jeni ju?» Ata iu përgjigjën: «Jemi vëllezërit e Ahaziahut dhe po zbresim për të pyetur a janë mirë djemtë e mbretit dhe djemtë e nënës mbretëreshë.»* 14  Menjëherë ai tha: «Kapini të gjallë!» Kështu i kapën të gjallë dhe i therën në sternën* e kasolles ku mbaheshin dhentë. Ata ishin 42 burra, e ai nuk la gjallë asnjë prej tyre.+ 15  Ndërsa largohej që andej, takoi Jehonadabin,+ birin e Rekabit,+ që po vinte drejt tij. Pasi ky e përshëndeti,* Jehu i tha: «A je me gjithë zemër me mua, ashtu si unë jam me ty?» Jehonadabi ia ktheu: «Po, jam.» «Nëse je, ma jep dorën.» Ai i dha dorën, dhe Jehu e hipi në karrocën ku ishte vetë. 16  Pastaj tha: «Eja me mua dhe shiko që unë nuk toleroj asnjë lloj rivaliteti ndaj Jehovait.»*+ Kështu Jehu e mori Jehonadabin në karrocën e vet të luftës. 17  Më pas Jehu mbërriti në Samari dhe vrau të gjithë njerëzit që kishin mbetur nga shtëpia e Akabit. Ai i shfarosi+ sipas fjalës që Jehovai i kishte thënë Elijas.+ 18  Veç kësaj, Jehu mblodhi gjithë popullin dhe i tha: «Akabi e adhuroi pak Baalin,+ por Jehu do ta adhurojë shumë më tepër. 19  Prandaj më thërritni gjithë profetët e Baalit,+ gjithë adhuruesit dhe gjithë priftërinjtë e tij.+ Të mos mungojë asnjë, sepse do të ofroj një flijim të madh për Baalin. Kushdo që mungon, nuk do të mbetet gjallë.» Por Jehu po vepronte me dinakëri që t’i shfaroste adhuruesit e Baalit. 20  Jehu shtoi: «Shpallni* një asamble solemne për Baalin.» Prandaj shpallën një asamble, 21  e pas kësaj Jehu dërgoi fjalë në mbarë Izraelin dhe erdhën gjithë adhuruesit e Baalit. Nuk mbeti asnjë pa ardhur. Ata hynë në tempullin* e Baalit,+ dhe ai u mbush cep më cep. 22  Jehu i tha përgjegjësit të dhomës së veshjeve: «Sill veshje për gjithë adhuruesit e Baalit.» Kështu ai i solli veshjet. 23  Pastaj Jehu dhe Jehonadabi,+ biri i Rekabit, hynë në tempullin e Baalit. Ai u tha adhuruesve të Baalit: «Kërkoni me kujdes dhe sigurohuni që këtu të mos ketë asnjë adhurues të Jehovait, por vetëm të Baalit.» 24  Në fund ata hynë për të paraqitur flijime dhe blatime të djegura. Jehu kishte vendosur jashtë 80 njerëz të tij dhe u tha: «Nëse ju ikën ndonjë nga burrat që po ju jap në dorë, jetën e tij do ta paguani me jetën tuaj.» 25  Sapo mbaroi së paraqituri blatimin e djegur, Jehu u tha rojave* dhe adjutantëve:* «Hyni dhe vritini! Mos lini të ikë as edhe një.»+ Kështu rojat e adjutantët i vranë me shpatë dhe i flakën jashtë; vepruan në këtë mënyrë deri te shenjtërorja e brendshme* e tempullit të Baalit. 26  Pastaj nxorën jashtë kolonat e shenjta+ të tempullit të Baalit dhe i dogjën të gjitha.+ 27  Rrëzuan kolonën e shenjtë+ të Baalit dhe tempullin e Baalit,+ të cilin e kthyen në nevojtore, siç vazhdon të jetë deri sot e kësaj dite. 28  Kështu Jehu e shfarosi Baalin nga Izraeli. 29  Megjithatë, Jehu nuk hoqi dorë nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte, pra s’hoqi dorë nga adhurimi i viçave të artë që ishin në Bethel dhe në Dan.+ 30  Jehovai i tha Jehut: «Meqë ke vepruar mirë dhe ke bërë atë që është e drejtë në sytë e mi, duke i bërë shtëpisë së Akabit gjithë ato që kisha në zemër,+ bijtë e tu do të ulen në fronin e Izraelit deri në brezin e katërt.»+ 31  Por Jehu nuk tregoi kujdes që të ecte me gjithë zemër sipas Ligjit të Jehovait, Perëndisë së Izraelit.+ Ai nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ 32  Në ato ditë, Jehovai nisi të zvogëlonte territorin e Izraelit.* Hazaeli vazhdoi të sulmonte Izraelin në gjithë territorin e tij,+ 33  nga Jordani drejt lindjes, tërë vendin e Galadit—territorin e gaditëve, të rubenitëve dhe të manasitëve+—nga Aroeri, që është buzë luginës së Arnonit,* deri në Galad dhe në Bashan.+ 34  Pjesa tjetër e historisë së Jehut, gjithçka bëri dhe gjithë bëmat e tij, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 35  Në fund Jehu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari; në vend të tij u bë mbret i biri, Jehoahazi.+ 36  Jehu mbretëroi 28 vjet në Samari si mbret i Izraelit.

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «kujdestarëve të Akabit».
Ose «më të drejtin».
Fjalë për fjalë «i shtëpisë».
Ose «të drejtë».
Fjalë për fjalë «nuk do të bjerë përtokë».
Me sa duket një vend ku lidhnin dhentë që t’i qethnin.
Ose «e zonjës».
Domethënë, depon e nëndheshme për të mbledhur ujë.
Ose «e bekoi».
Ose «shiko zellin që kam për Jehovain».
Fjalë për fjalë «Shenjtëroni».
Fjalë për fjalë «shtëpinë».
Fjalë për fjalë «vrapuesve».
Ose «oficerëve ndihmës».
Fjalë për fjalë «qyteti», ndoshta një strukturë ngjashëm një fortese.
Ose «nisi t’i shkëpuste Izraelit pjesë njëra pas tjetrës».
Ose «vadit të Arnonit». Shih Fjalorthin.