Libri i parë i Samuelit 26:1-25

  • Davidi ia kursen përsëri jetën Saulit (1-25)

    • Davidi respekton të mirosurin e Jehovait (11)

26  Pas ca kohësh, burrat e Zifit+ vajtën te Sauli në Gibeah+ dhe i thanë: «Davidi është fshehur në kodrën e Hakilahut, përballë Jeshimonit.»*+  Kështu Sauli zbriti në shkretëtirën e Zifit bashkë me 3.000 burra të zgjedhur të Izraelit që të kërkonte Davidin në shkretëtirën e Zifit.+  Sauli e ngriti kampin pranë rrugës, në kodrën e Hakilahut, përballë Jeshimonit. Në atë kohë, Davidi jetonte në shkretëtirë dhe mori vesh se Sauli kishte vajtur pas tij në shkretëtirë.  Prandaj dërgoi vëzhgues që të sigurohej nëse Sauli kishte ardhur vërtet.  Më vonë, Davidi shkoi atje ku kishte ngritur kampin Sauli dhe pa se ku po flinte ai dhe Abneri,+ djali i Nerit, kreu i ushtrisë. Sauli po flinte brenda rrethimit të kampit bashkë me trupat ushtarake që fushonin rreth e qark tij.  Atëherë Davidi i tha hititit+ Ahimelek dhe Abishait,+ djalit të Zerujasë,+ vëllait të Joabit: «Kush do të vijë me mua në kamp, te Sauli?» Abishai i tha: «Do të vij unë.»  Kështu Davidi me Abishain shkuan natën te trupat ushtarake dhe gjetën Saulin që flinte brenda rrethimit të kampit. Heshtën e kishte të ngulur në tokë, pranë kokës; Abneri dhe trupat ushtarake ishin shtrirë rreth e qark tij.  Abishai i tha Davidit: «Sot Perëndia ta ka dhënë në dorë armikun.+ Të lutem, më lër ta mbërthej në tokë me heshtë, vetëm me një të goditur, e nuk do të më duhet t’i bie për së dyti.»  Por Davidi i tha Abishait: «Mos i bëj keq, sepse kush mund të ngrejë dorë kundër të mirosurit* të Jehovait+ dhe të mbetet i pafajshëm?!»+ 10  Davidi shtoi: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, vetë Jehovai do ta godasë,+ ose do t’i vijë dita+ e do të vdesë, ose do të shkojë në betejë e do të marrë fund.+ 11  Duke e ditur pikëpamjen e Jehovait, nuk më shkon kurrë ndër mend të ngre dorë kundër të mirosurit të Jehovait!+ Tani, të lutem, të marrim heshtën dhe shtambën e ujit që janë pranë kokës së tij, e të shkojmë.» 12  Kështu Davidi mori heshtën dhe shtambën e ujit që ishin pranë kokës së Saulit, dhe u larguan. Askush nuk i pa,+ nuk i vuri re dhe nuk u zgjua, ngaqë të gjithë po flinin, sepse Jehovai i kishte vënë në gjumë të thellë. 13  Pastaj Davidi kaloi në anën tjetër dhe qëndroi në majë të malit, goxha larg tyre. 14  Davidi u thirri trupave ushtarake dhe Abnerit,+ djalit të Nerit: «Abner, më dëgjon?» Abneri u përgjigj: «Kush je ti që i thërret mbretit?» 15  Davidi i tha: «A nuk je burrë trim?! E kush është si ti në Izrael?! Pse, pra, nuk e ruajte zotërinë tënd, mbretin? Se një nga ushtarët hyri për ta hequr qafe zotërinë tënd, mbretin.+ 16  S’ke vepruar mirë. Siç është e vërtetë që Jehovai rron, ju e keni hak vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të mirosurin e Jehovait.+ Tani shiko rreth e rrotull. Ku janë heshta e mbretit dhe shtamba e ujit+ që ishin pranë kokës së tij?» 17  Atëherë Sauli e njohu zërin e Davidit dhe e pyeti: «Zëri yt është ky David, biri im?»+ Davidi i tha: «Zëri im është, o zotëria im mbret.» 18  Ai shtoi: «Pse e ndjek këmba-këmbës zotëria im shërbëtorin e tij?+ Ç’kam bërë? Për çfarë jam fajtor?+ 19  Të lutem, le t’i dëgjojë zotëria im, mbreti, fjalët e shërbëtorit të vet. Nëse kundër meje të ka nxitur Jehovai, Ai le ta pranojë* blatimin tim në drithë! Por, nëse të kanë nxitur njerëzit,+ qofshin të mallkuar para Jehovait, sepse më kanë dëbuar sot nga populli* i Jehovait+ dhe më kanë thënë: ‘Shko, shërbeju perëndive të tjera!’ 20  Mos e lër gjakun tim të derdhet përtokë, larg pranisë së Jehovait, sepse mbreti i Izraelit ka dalë të kërkojë veçse një plesht,+ sikur të ndiqte një thëllëzë në male.» 21  Sauli ia ktheu: «Kam mëkatuar.+ Kthehu, David, biri im, sepse nuk do të të bëj më keq, ngaqë sot e konsiderove të çmuar+ jetën time. Po, kam vepruar pa mend dhe kam bërë një gabim të tmerrshëm.» 22  Davidi u përgjigj: «Ja heshta e mbretit. Le të vijë një nga burrat dhe ta marrë. 23  Jehovai do ta shpërblejë secilin për drejtësinë dhe besnikërinë e vet,+ sepse sot Jehovai të dha në duart e mia, por unë nuk doja të ngrija dorë kundër të mirosurit të Jehovait.+ 24  Ja, ashtu si jeta jote ishte e çmuar në sytë e mi sot, kështu qoftë e çmuar jeta ime në sytë e Jehovait, dhe ai më çliroftë nga të gjitha vuajtjet!»+ 25  Sauli i tha Davidit: «Qofsh i bekuar David, biri im! Ti pa dyshim do të bësh gjëra të mëdha dhe do të dalësh fitimtar.»+ Pastaj Davidi u largua, ndërsa Sauli u kthye në shtëpi.+

Shënime në fund të faqes

Një mundësi tjetër «shkretëtirës; vendit të shkretë».
Fjalë për fjalë «të ndiejë aromën».
Fjalë për fjalë «trashëgimia».