Libri i parë i Samuelit 21:1-15

  • Davidi ha bukët e paraqitjes në Nob (1-9)

  • Davidi hiqet si i çmendur në Gath (10-15)

21  Më vonë Davidi shkoi në Nob+ te prifti Ahimelek. Kur e takoi Davidin, Ahimeleku nisi të dridhej nga frika dhe e pyeti: «Pse ke ardhur vetëm fare, pa njeri?»+  Davidi iu përgjigj: «Mbreti më udhëzoi të bëj diçka, por tha: ‘Askush të mos dijë gjë për misionin që të kam besuar dhe për udhëzimet që të dhashë.’ Kam lënë të takohem me trimat që luftojnë përkrah meje.  Nëse të ndodhen pesë bukë, m’i jep, ose më jep çfarëdo që të kesh mundësi.»  Por prifti iu përgjigj Davidit: «Bukë të zakonshme nuk ka, por ka bukë të shenjtë;+ burrat mund ta hanë, me kusht që të mos u jenë afruar grave.»*+  Davidi i tha priftit: «S’diskutohet që gratë kanë qenë larg nesh, njëlloj si herët e tjera kur kam shkuar në fushata ushtarake.+ Nëse burrat i mbajnë trupat të shenjtë edhe kur misioni është i zakonshëm, aq më tepër në një ditë si kjo!»  Atëherë prifti i dha bukë të shenjtë,+ sepse atje nuk kishte bukë tjetër, përveç bukëve të paraqitjes* që i kishin hequr nga tabernakulli i Jehovait për t’i zëvendësuar po atë ditë me bukë të freskëta.  Tani, një shërbëtor i Saulit ishte atje atë ditë, ngaqë e kishin mbajtur* në tabernakull para Jehovait. Ai quhej Doeg,+ ishte edomit+ dhe kryebariu i Saulit.  Pastaj Davidi e pyeti Ahimelekun: «A ke këtu ndonjë heshtë a ndonjë shpatë? Nuk mora as shpatën, as armët e mia ngaqë misioni i mbretit ishte urgjent.»  Prifti i tha: «Shpata e Goliadit,+ e filistinit që vrave në luginën* e Elahut+ është këtu, e mbështjellë me një copë, atje pas efodit.+ Po të duash, merre, sepse vetëm atë kemi këtu.» Davidi i tha: «Ma jep, se më të mirë se ajo s’ka.» 10  Atë ditë Davidi u nis dhe vazhdoi rrugën për të shpëtuar+ nga Sauli, e në fund arriti tek Akishi, mbreti i Gathit.+ 11  Shërbëtorët e Akishit i thanë: «A nuk është ky Davidi, mbreti i vendit, për të cilin hidhnin valle e këndonin: ‘Sauli ka vrarë mijëra,e Davidi dhjetëra mijë.’»+ 12  Davidi u shqetësua nga këto fjalë dhe u tremb shumë+ nga Akishi, mbreti i Gathit. 13  Prandaj u hoq si i çmendur+ dhe sillej si i dalë mendsh kur ishte para tyre.* Ai bënte shkarravina në kanatet e dyerve dhe e linte pështymën t’i rridhte nëpër mjekër. 14  Atëherë Akishi u tha shërbëtorëve: «Nuk e shihni që ky është i çmendur?! Pse ma sollët? 15  Pak të çmendur kam që më sillni një tjetër?! Një si ky duhet të hyjë në shtëpinë time?!»

Shënime në fund të faqes

Ose «të mos kenë kryer marrëdhënie me gra».
Ka mundësi për shkak të një zotimi, të ndonjë papastërtie ose ngaqë dyshohej si i lebrosur.
Ose «ultësirën».
Fjalë për fjalë «sa ishte në duart e tyre».