Letra e parë drejtuar korintasve 12:1-31

  • Dhuratat e frymës (1-11)

  • Një trup, shumë gjymtyrë (12-31)

12  Sa për dhuratat e frymës,+ vëllezër, nuk dua të jeni në padije.  Ju e dini se, kur ishit jobesimtarë,* adhuronit idhuj të pagojë+ dhe shkonit pas tyre, kudo që t’ju drejtonin.  Prandaj dua të kuptoni se ai që flet falë frymës së Perëndisë, s’ka sesi të thotë: «Jezui qoftë i mallkuar!», dhe askush nuk mund të thotë: «Jezui është Zotëri!», veçse falë frymës së shenjtë.+  Tani, ka dhurata të ndryshme, por është e njëjta frymë;*+  ka lloje të ndryshme shërbimi,+ e megjithatë është i njëjti Zotëri;  ka edhe lloje të ndryshme veprimesh, e megjithatë është i njëjti Perëndi që vepron te të gjithë.+  Por fryma duket qartë te gjithsecili dhe jepet për një qëllim të dobishëm.+  Në fakt, me anë të frymës, dikujt i është dhënë dhurata për të folur me mençuri, një tjetri dhurata e njohurisë* sipas së njëjtës frymë,  një tjetri i është dhënë besim+ nga po e njëjta frymë, një tjetri dhurata e shërimit+ nga po ajo frymë, 10  një tjetri akoma të kryejë mrekulli,*+ një tjetri të profetizojë, një tjetri aftësia për të dalluar shprehjet e frymëzuara,+ një tjetri dhurata për të folur gjuhë të ndryshme+ dhe një tjetri të interpretojë* gjuhët.+ 11  E të gjitha këto veprime i kryen e vetmja dhe e njëjta frymë, e cila ia jep këto dhurata secilit ashtu si dëshiron. 12  Ashtu sikurse trupi është një, por ka shumë gjymtyrë, dhe të gjitha gjymtyrët e atij trupi, ndonëse shumë, janë një trup i vetëm,+ po kështu është edhe Krishti. 13  E të gjithë ne u pagëzuam nga një frymë e vetme, që të bëheshim një trup i vetëm, judenj a grekë qofshim, skllevër a të lirë, dhe të gjithë morëm të njëjtën frymë. 14  Në të vërtetë, trupi nuk përbëhet nga një gjymtyrë, por nga shumë.+ 15  Sikur këmba të thoshte: «Meqë nuk jam dorë, unë s’jam pjesë e trupit», thua vërtet nuk është pjesë e trupit? 16  Sikur veshi të thoshte: «Meqë nuk jam sy, unë s’jam pjesë e trupit», thua vërtet nuk është pjesë e trupit? 17  Sikur i gjithë trupi të ishte sy, ku do të ishte dëgjimi? Sikur të ishte i gjithi dëgjim, ku do të ishte nuhatja? 18  Por faktikisht Perëndia e ka vendosur secilën gjymtyrë në trup ashtu siç i pëlqeu. 19  Sikur të ishin të gjitha e njëjta gjymtyrë, ku do të ishte trupi? 20  Në fakt ka shumë gjymtyrë, mirëpo vetëm një trup. 21  Syri s’ka sesi t’i thotë dorës: «S’kam nevojë për ty!», ose koka s’ka sesi t’u thotë këmbëve: «Nuk kam nevojë për ju!» 22  Përkundrazi, ato gjymtyrë të trupit që duken më të dobëta, janë të nevojshme, 23  dhe atyre pjesëve të trupit që mendojmë se janë më pak të nderuara, u japim më shumë nderim,+ e kështu pjesët tona të pahijshme kanë më shumë dinjitet, 24  kurse pjesët tona të hijshme s’kanë nevojë për asgjë. Sidoqoftë, Perëndia e ndërtoi trupin duke i dhënë më shumë nderim asaj pjese që kishte nevojë për nderim, 25  në mënyrë që në trup të mos ketë përçarje, por që gjymtyrët të kenë kujdes reciprok për njëra-tjetrën.+ 26  Sikur të vuajë qoftë një gjymtyrë, gjithë gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të,+ dhe sikur të marrë lavdi një gjymtyrë e vetme, gjithë gjymtyrët e tjera gëzojnë bashkë me të.+ 27  Tani, ju jeni trupi i Krishtit+ dhe secili prej jush është gjymtyrë e tij.+ 28  Perëndia i ka dhënë secilit prej jush një caktim në kongregacion: së pari ka caktuar apostuj,+ së dyti profetë,+ së treti mësues,+ pastaj ata që kryejnë mrekulli,+ ata që kanë dhuratën e shërimit,+ ata që kryejnë shërbime të dobishme, ata që kanë aftësi drejtuese+ dhe ata që flasin gjuhë të ndryshme.+ 29  Mos janë të gjithë apostuj? Mos janë të gjithë profetë? Mos janë të gjithë mësues? Mos kryejnë të gjithë mrekulli? 30  Mos e kanë të gjithë dhuratën e shërimit? Mos flasin të gjithë gjuhë të huaja?+ Mos janë të gjithë përkthyes?*+ 31  Gjithsesi, përpiquni fuqimisht të merrni* dhuratat më të mëdha.+ E megjithatë, unë po ju tregoj një udhë që i tejkalon të tjerat.+

Shënime në fund të faqes

Fjalë për fjalë «njerëz të kombeve».
Fjalë për fjalë «fjalë njohurie», ka të ngjarë t’i referohet njohurisë së fituar falë një mrekullie.
Ose «vepra të fuqishme».
Ose «të përkthejë».
Ose «interpretues gjuhe?»
Ose «vazhdoni të kërkoni me zell».