Libri i parë i Mbretërve 5:1-18

  • Mbreti Hiram siguron materiale ndërtimi (1-12)

  • Solomoni rekruton punëtorë (13-18)

5  Kur Hirami, mbreti i Tirit,+ dëgjoi se Solomoni ishte mirosur* si mbret në vend të të atit, ai dërgoi shërbëtorë te Solomoni, sepse Hirami kishte qenë gjithmonë mik me* Davidin.+  Atëherë Solomoni i dërgoi fjalë Hiramit:+  «Ti e di mirë se im atë, Davidi, nuk ndërtoi dot një shtëpi për emrin e Jehovait, Perëndisë së tij, për shkak të luftërave që u ndërmorën kundër tij nga çdo anë, derisa Jehovai i dha fitoren mbi armiqtë.*+  Por tani, Jehovai, Perëndia im, më ka dhënë paqe* nga të gjitha anët.+ S’ka asnjë që më kundërshton dhe s’ndodh asgjë e keqe.+  Prandaj kam ndër mend të ndërtoj një shtëpi për emrin e Jehovait, Perëndisë tim, ashtu siç i premtoi Jehovai Davidit, atit tim, kur i tha: ‘Shtëpinë për emrin tim do ta ndërtojë djali yt,+ të cilin do ta vë në fron në vendin tënd.’  Tani urdhëroje popullin tënd që të presë për mua cedra nga Libani.+ Shërbëtorët e mi do të punojnë me shërbëtorët e tu, dhe do t’i paguaj shërbëtorët e tu aq sa të vendosësh, sepse ti e di mirë që asnjë nga ne nuk di të presë dru si sidonitët.»+  Kur dëgjoi fjalët e Solomonit, Hirami u gëzua shumë dhe tha: «Lëvduar qoftë sot Jehovai, sepse i ka dhënë Davidit një djalë të mençur dhe e ka vënë në krye të këtij populli të madh!»*+  Kështu Hirami i dërgoi fjalë Solomonit: «E mora mesazhin që më dërgove. Do të ta plotësoj dëshirën dhe do të të siguroj dru cedri e dëllinje.+  Shërbëtorët e mi do t’i zbresin trungjet nga Libani në det, dhe do të bëj me to lundra e do t’i çoj nëpërmjet detit atje ku të më thuash ti, pastaj do t’i zgjidh e ti mund t’i mbartësh. Në këmbim, do të më sigurosh ushqimin që do të të kërkoj për shtëpinë time.»+ 10  Kështu, Hirami i dha Solomonit aq dru cedri dhe dëllinje sa i kërkoi. 11  Solomoni i jepte Hiramit si ushqim për shtëpinë e tij 20.000 korë* grurë dhe 20 korë vaj ulliri shumë të mirë;* Solomoni ia jepte këto Hiramit vit për vit.+ 12  Dhe Jehovai i dha Solomonit mençuri, siç i kishte premtuar.+ Mes Hiramit dhe Solomonit pati paqe dhe të dy bënë një marrëveshje.* 13  Mbreti Solomon rekrutoi nga gjithë Izraeli burra për punë të detyruar: gjithsej 30.000 veta.+ 14  Ai dërgonte me radhë në Liban 10.000 veta çdo muaj. Ata rrinin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre. Përgjegjës i të rekrutuarve për punë të detyruar ishte Adonirami.+ 15  Solomoni kishte 70.000 punëtorë të thjeshtë* dhe 80.000 gurprerës+ në male,+ 16  si edhe 3.300 nëpunës+ që shërbenin si përgjegjës për të mbikëqyrur punëtorët. 17  Me urdhër të mbretit, ata nxirrnin gurë të mëdhenj, gurë të kushtueshëm,+ që themelet+ e shtëpisë të bëheshin me gurë të latuar.+ 18  Kështu, ndërtuesit e Solomonit, ndërtuesit e Hiramit dhe gebalitët+ prenë gurët dhe përgatitën drurë e gurë për ndërtimin e shtëpisë.

Shënime në fund të faqes

Ose «e kishte dashur gjithmonë».
Ose «ia vuri armiqtë nën këmbë».
Fjalë për fjalë «prehje».
Ose «të panumërt!»
Një korë ishte 220 l. Shih Shtojcën B14.
Ose «vaj ullinjsh të shtypur».
Ose «besëlidhje».
Ose «hamej».