Mateu 17:1-27

17  Gjashtë ditë më pas, Jezui mori me vete vetëm Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi në një mal të lartë.+  Atje ai u shpërfytyrua para tyre dhe fytyra i shkëlqeu si dielli+ dhe rrobat i ndritën si drita.+  Dhe ja, atyre iu shfaqën Moisiu dhe Elija, që bisedonin me të.+  Prandaj Pjetri i tha Jezuit: «Zotëri, është gjë e mirë që jemi këtu. Po të duash, unë do të ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elijan.»+  Ndërsa ai ende po fliste, një re e shndritshme i mbuloi dhe një zë u dëgjua nga reja: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar.+ Dëgjojeni.»+  Kur dëgjuan këtë, dishepujt ranë me fytyrë përtokë dhe u frikësuan shumë.+  Atëherë Jezui u afrua, i preku dhe u tha: «Ngrihuni e mos kini frikë.»+  Kur ata ngritën sytë, nuk panë asnjeri, përveç Jezuit.+  Ndërsa po zbritnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos ia tregoni kurrkujt vegimin, derisa Biri i njeriut të ngrihet nga të vdekurit.»+ 10  Megjithatë, dishepujt e pyetën: «Përse, atëherë, skribët thonë se më parë do të vijë Elija?»+ 11  Ai iu përgjigj: «Në të vërtetë, më parë do të vijë Elija dhe do të rivendosë gjithçka.+ 12  Megjithatë, unë po ju them se Elija ka ardhur tashmë dhe ata nuk e pranuan, por bënë me të ç’deshën. Po kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut në duart e tyre.»+ 13  Atëherë dishepujt e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzorin.+ 14  Kur arritën te turma,+ atij iu afrua një burrë, i cili ra në gjunjë dhe i tha: 15  «Zotëri, ki mëshirë për tim bir, se është epileptik e në gjendje të rëndë, dhe shpesh bie në zjarr e në ujë.+ 16  E çova te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shëronin.»+ 17  Atëherë Jezui tha: «O brez pa besim dhe i shtrembër!+ Deri kur duhet të qëndroj me ju? Deri kur duhet t’ju duroj? Sillmani këtu.» 18  Jezui e qortoi demonin, dhe ai doli+ nga djali, i cili u shërua që nga ai çast.+ 19  Atëherë dishepujt iu afruan veçmas Jezuit dhe e pyetën: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?»+ 20  Ai iu përgjigj: «Për shkak të besimit tuaj të paktë. Vërtet po ju them se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Lëviz nga këtu atje’, dhe ai do të lëvizë, e asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.»+ 21  ——* 22  Ndërsa ishin së bashku në Galile, Jezui u tha: «Birin e njeriut do ta tradhtojnë dhe do ta dorëzojnë në duart e njerëzve,+ 23  të cilët do ta vrasin. Por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.»+ Prandaj, ata ishin shumë të hidhëruar.+ 24  Pasi mbërritën në Kapernaum, njerëzit që mblidhnin dy drahmat e taksës, iu afruan Pjetrit dhe i thanë: «A i paguan mësuesi juaj dy drahmat e taksës?»+ 25  Ai tha: «Po.» Megjithatë, kur hyri në shtëpi, Jezui e mori fjalën përpara tij dhe e pyeti: «Ç’mendon ti, Simon? Nga cilët i marrin mbretërit e tokës tatimet ose haraçet për kokë? Nga bijtë e tyre apo nga të huajt?» 26  Kur ai iu përgjigj: «Nga të huajt», Jezui i tha: «Ashtu është, bijtë janë të përjashtuar nga taksat. 27  Megjithatë, që të mos bëhemi pengesë për ta,+ shko në det, hidh grepin dhe, peshkut të parë që do të kapësh, hapi gojën e do t’i gjesh një monedhë statere. Merre dhe jepua për mua e për vete.»+

Shënime në fund të faqes

Ky varg gjendet në disa përkthime të Biblës, por është hequr në tekstin greqisht të Uestkotit dhe Hortit, i cili përputhet me dorëshkrimet më të lashta në greqisht.