Opsioni i thjeshtuar

Kalo te menuja kryesore

Kalo te menuja dytësore

Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

KULLA E ROJËS DHJETOR 2013

SHFAQUR NË

 MËSOJI FËMIJËT

Jezu Krishti—Foshnjë apo mbret i fuqishëm?

Në dhjetor, shumë njerëz përreth botës shohin pamje a shëmbëlltyra të Jezuit si foshnjë. Ai ndodhet në një grazhd, lloj korite ku mbahet sanë për kafshët. Por, a duhet ta kujtojmë Jezuin vetëm si foshnjë? . . . * Le të shohim një mënyrë shumë më të rëndësishme për ta kujtuar. Për këtë, na ndihmon ajo që i ndodhi një grupi barinjsh një natë në fushat afër Betlehemit.

Papritur barinjve u shfaqet një engjëll. Ai u drejtohet me fjalët: «Ju lindi një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria.» Gjithashtu, engjëlli u thotë se do ta gjejnë Jezuin «të mbështjellë me pelena dhe të shtrirë në një grazhd». Menjëherë pas kësaj, mjaft engjëj të tjerë shfaqen dhe nisin ‘të lëvdojnë Perëndinë’.

Si do të ndiheshe po t’i dëgjoje engjëjt tek lëvdojnë Perëndinë? . . . Barinjtë janë të kënaqur. Ata thonë: «Të shkojmë menjëherë në Betlehem e të shohim ç’ka ndodhur atje.» Kur mbërrijnë, gjejnë «Marinë e Jozefin, si edhe foshnjën të shtrirë në grazhd».

S’kalon shumë dhe njerëz të tjerë vijnë te Maria dhe Jozefi në Betlehem. Kur barinjtë u tregojnë ç’ka ndodhur, ata mrekullohen. Po ti, a je i kënaqur që po mëson këto gjëra të mrekullueshme për Jezuin? . . . Të gjithë ata që e duan Perëndinë kënaqen. Tani le të shohim pse lindja e Jezuit solli kaq shumë lumturi. Për këtë, duhet të kthehemi në kohën para se Maria të martohej.

Një ditë, engjëlli i quajtur Gabriel viziton Marinë. I premton se ajo do të ketë një fëmijë që «do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit». Engjëlli vazhdon: «Ai do të mbretërojë . . . dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.»

Maria dëshiron të dijë si do të ndodhë kjo, pasi  nuk ka pasur kurrë marrëdhënie me një burrë. Prandaj, Gabrieli i shpjegon: «Fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë» dhe «ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë». Transferimi i jetës së Birit të Perëndisë nga qielli në barkun e Marisë, që të rritej si foshnjë, ishte një mrekulli e vërtetë.

A ke parë pamje ose skena me tre «dijetarë» dhe barinj që vizitojnë foshnjën Jezu? . . . Këto skena janë të zakonshme në kohën e Krishtlindjeve. Por nuk janë plotësisht të vërteta. Faktikisht, ata «dijetarë» ishin astrologë; praktikonin diçka që Perëndia e dënon. Të shohim ç’ndodhi kur mbërritën atje. Bibla thotë: «Kur hynë në shtëpi, panë fëmijën me të ëmën, Marinë.» Kështu që Jezui tashmë nuk ishte më foshnjë në grazhd, por një fëmijë që jetonte në shtëpi me Jozefin dhe Marinë.

Si e gjetën astrologët Jezuin? . . . I drejtoi një ‘yll’, së pari te mbreti Herod në Jerusalem, pastaj në Betlehem. Bibla thotë se Herodi donte ta gjente Jezuin që ta vriste. Tani mendo pak. Si thua, kush e shfaqi yllin që drejtoi astrologët te Herodi? . . . Nuk ishte Perëndia i vërtetë, Jehovai, por kundërshtari ose armiku i tij, Satana Djalli.

Sot, Satanai përpiqet t’u mbushë mendjen njerëzve se Jezui është vetëm një foshnjë e pambrojtur. Por, engjëlli Gabriel i tha Marisë: «Ai do të mbretërojë . . . dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» Tani Jezui sundon si Mbret në qiell dhe së shpejti do të shkatërrojë të gjithë armiqtë e Perëndisë. Kështu duhet ta kujtojmë Jezuin dhe këtë duhet t’ua themi edhe të tjerëve.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.

HYR ME IDENTIFIKIM