Opsioni i thjeshtuar

Kalo te menuja kryesore

Kalo te menuja dytësore

Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

shqip

KULLA E ROJËS MAJ 2011

  Si të kemi një familje të lumtur?

Ndryshimet që sjellin fëmijët në martesë

Çarlsi: * «Unë dhe Meri u emocionuam tej mase kur u bëmë me vajzë. Megjithatë, muajt e parë pas lindjes së saj, shpesh nuk vija gjumë në sy. I kishim bërë të gjitha llojet e planeve si të kujdeseshim për të, por shpejt të gjitha u zhdukën.»

Meri: «Me lindjen e vajzës, nuk e kisha më në dorë timonin e jetës sime. Papritur, gjithçka vërtitej rreth biberonit tjetër, ndërrimit tjetër të pelenave ose si të qetësoja foshnjën herën tjetër kur të qante. Nevojitej goxha përshtatje. U deshën muaj të tërë para se marrëdhënia ime me Çarlsin të normalizohej.»

SHUMË veta e pranojnë se fëmijët janë ndër gëzimet më të mëdha të jetës. Bibla i përshkruan fëmijët si «shpërblim» nga Perëndia. (Psalmi 127:3) Gjithashtu, ata që sapo janë bërë prindër, si Çarlsi dhe Meri, e dinë se fëmijët mund ta ndryshojnë martesën në mënyra të papritura. Për shembull, një nënë e re mund të përqendrohet te foshnja dhe mund të habitet si i reagon trupi dhe zemra ndaj çdo nevoje të të porsalindurit, sado e vogël të jetë. Për sa i përket burrit që sapo është bërë baba, ai mund të mrekullohet për lidhjen që formohet mes gruas dhe foshnjës. Nga ana tjetër, mund të merakoset ngaqë, krejt papritur, po lihet mënjanë.

Në fakt, lindja e fëmijës së parë mund të jetë shkëndija për një krizë në martesë. Pasiguritë emocionale të një individi dhe çështjet e pazgjidhura të një çifti mund të nxjerrin krye, pasi zbulohen dhe zmadhohen nga tensioni i rolit si prind.

Si mund t’u përshtaten prindërit e rinj muajve të parë e të vrullshëm kur i sapolinduri kërkon gjithë vëmendjen e tyre? Ç’mund të bëjë një çift që të ruajë lidhjen e ngushtë mes tyre? Si mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet për rritjen e fëmijës? Le ta analizojmë secilën nga këto vështirësi dhe të shqyrtojmë si mund t’i përballojë një çift ato, me ndihmën e parimeve biblike.

 VËSHTIRËSIA 1: Papritur jeta vërtitet rreth fëmijës.

Kur del në dritë një fëmijë, gjithë koha dhe fuqitë mendore të nënës përqendrohen tek ai. Ajo mund të përjetojë një ndjenjë të thellë plotësimi nga ana emocionale teksa kujdeset për foshnjën. Ndërkohë, burri mund të ndihet i lënë pas dore. Manueli, i cili jeton në Brazil, thotë: «Kur gruaja nisi të përqendrohej te foshnja e jo tek unë, ishte ndryshimi më i vështirë për t’u pranuar. Në fillim ishim vetëm unë dhe gruaja. Pastaj, krejt papritur, ishte vetëm gruaja dhe foshnja.» Si mund ta përballosh gjithë këtë turbullim?

Një çelës i suksesit: Ji i durueshëm.

«Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse»,—thotë Bibla. Dashuria «nuk kërkon interesat e veta, nuk provokohet». (1 Korintasve 13:4, 5) Çfarë mund të bëjnë si burri, edhe gruaja që ta zbatojnë këtë këshillë kur vjen në jetë një fëmijë?

Një burrë i mençur tregon se e do bashkëshorten kur mban parasysh çfarë heq një grua fizikisht dhe mendërisht nga lindja e një fëmije. Nëse bën kështu, do ta kuptojë pse gruaja mund të priret ndaj ndryshimeve të papritura të humorit. * Adami, i cili jeton në Francë dhe është baba i një vajze 11-muajshe, pranon: «Nganjëherë, e kam të vështirë t’i kuptoj ndryshimet e humorit të gruas dhe të jem i duruar me të. Por përpiqem të mos harroj se ajo nuk e ka me mua personalisht. Përkundrazi, reagon kështu si përgjigje ndaj streseve të pazakonta të rrethanave të reja.»

A i keqkupton ndonjëherë gruaja jote përpjekjet që bën për ta ndihmuar? Nëse po, mos u fyej shpejt. (Eklisiastiu 7:9) Më mirë, ji i durueshëm dhe vëri nevojat e saj para nevojave të tua. Si rrjedhim, nuk do të mërzitesh.Proverbat 14:29.

Nga ana tjetër, një grua me aftësi dalluese përpiqet ta nxitë të shoqin të përmbushë rolin e tij të ri. Ajo do ta përfshijë edhe burrin në kujdesjen për fëmijën, duke i treguar me durim si t’i ndërrojë pelenat ose të përgatitë ushqimin me biberon, edhe pse në fillim mund të duket i ngathët.

Elena, një nënë 26-vjeçare, e pranoi se duhej të bënte disa rregullime në mënyrën si e trajtonte burrin. Ajo thotë: «Duhej të bëhesha më pak zotëruese ndaj fëmijës. Gjithashtu, duhej t’i kujtoja vetes që të mos pretendoja përsosmëri kur burri përpiqej të zbatonte sugjerimet e mia si të kujdesej për foshnjën.»

SUGJERIM: Gra, nëse burri juaj i bën gjërat ndryshe nga ju ndërsa kujdeset për fëmijën, rezistojini prirjes për ta kritikuar ose për ta bërë punën nga e para. Lavdërojeni për gjërat që bën mirë, dhe kështu do t’i jepni siguri e do ta nxitni t’ju mbështetë sipas nevojës. Burra, harxhoni më pak kohë në gjëra të parëndësishme, që të keni sa më shumë kohë për ta ndihmuar gruan, veçanërisht muajt e parë pas lindjes së foshnjës.

VËSHTIRËSIA 2: Dobësohet lidhja si çift.

Shumë prindërve të rinj u duhen përpjekje të mëdha për të qëndruar afër njëri-tjetrit, ngaqë rraskapiten nga gjumi copa-copa dhe të papritura të tjera. Viviana, një nënë franceze me dy fëmijë, pranon: «Në fillim, u përqendrova kaq shumë te detyra ime si nënë, sa gati e harrova rolin si bashkëshorte.»

Nga ana tjetër, një bashkëshort mund të mos arrijë ta kuptojë se shtatzënia ka ndikuar te gruaja—si fizikisht, edhe emocionalisht. Ardhja e një fëmije mund t’ju hajë kohën dhe energjitë që më parë i përdornit për të ruajtur intimitetin me njëri-tjetrin, si nga ana emocionale,  edhe seksuale. Atëherë, si mund të sigurohet një çift që fëmija i tyre i dashur dhe i brishtë, të mos bëhet hendek për bashkëshortët?

Një çelës i suksesit: Sigurojeni njëri-tjetrin për dashurinë tuaj.

Bibla thotë për martesën: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» * (Zanafilla 2:24) Perëndia Jehova kishte si qëllim që, me kalimin e kohës, fëmijët të largoheshin nga prindërit. Krejt ndryshe, Perëndia pret që lidhja si mish i vetëm mes burrit dhe gruas të zgjatë tërë jetën. (Mateu 19:3-9) Kuptueshmëria për këtë fakt mund ta ndihmojë një çift që bëhet me fëmijë të mbajë përparësitë e duhura. Si?

Viviana, që u përmend më sipër, thotë: «Mendova për fjalët te Zanafilla 2:24 dhe ky varg më ndihmoi të kuptoj se isha ‘një mish i vetëm’ me burrin, jo me fëmijën. E kuptova nevojën për ta forcuar martesën.» Tereza, mamaja e një vajze dyvjeçare, thotë: «Nëse filloj të ndihem larg burrit, bëj përpjekje të menjëhershme t’ia kushtoj atij tërë vëmendjen, edhe nëse kjo nënkupton pak çaste çdo ditë.»

Çfarë mund të bësh për ta forcuar martesën, nëse je burrë i martuar? Thuaji gruas që e do. Jepu peshë fjalëve duke bërë veprime që tregojnë butësi. Bëj përpjekje të ndërgjegjshme që t’ia largosh gruas ndjenjat e pasigurisë që mund të provojë. Sara, një nënë 30-vjeçare, thotë: «Një bashkëshorte ka nevojë ta dijë se burri ende e çmon dhe e do, pavarësisht se trupin nuk e ka si më parë, për shkak të shtatzënisë.» Alani, që jeton në Gjermani dhe është baba i dy djemve, kupton sa e nevojshme është ta mbështetë gruan emocionalisht. Ai thotë: «Gjithmonë jam përpjekur t’i jap zemër gruas kur ndihet e trishtuar.»

Kuptohet, lindja e një fëmije do të sjellë njëfarë pengese për sa u përket marrëdhënieve seksuale. Prandaj, burri dhe gruaja duhet të flasin për nevojat e secilit. Bibla thotë se ndryshimet në marrëdhëniet seksuale mes çiftit, duhet të bëhen ‘duke u marrë vesh’. (1 Korintasve 7:1-5) Kjo kërkon komunikim. Ndoshta mund të ngurrosh të flasësh me burrin ose gruan për gjëra të tilla, për shkak të prejardhjes kulturore ose të mënyrës si je rritur. Por këto biseda janë jetësore teksa çifti i përshtatet rutinës si prindër. Tregoni empati, durim dhe sinqeritet. (1 Korintasve 10:24) Kështu do të shmangni keqkuptimet dhe do ta thelloni dashurinë për njëri-tjetrin.1 Pjetrit 3:7, 8.

Çifti mund ta thellojë dashurinë edhe duke e shprehur vlerësimin që kanë për njëri-tjetrin. Një burrë i mençur do ta kuptojë se shumica e punëve që bën një nënë e re nuk duken. Viviana thotë: «Shpesh, në fund të ditës ndihem sikur nuk kam bërë asgjë, edhe pse kam qenë e zënë duke u kujdesur gjithë kohën për fëmijën.» Megjithëse është e zënë, një grua me aftësi dalluese tregon kujdes të mos e nënçmojë  kontributin që i jep burri familjes.Proverbat 17:17.

SUGJERIM: Nëna, kurdo që është e mundur, bëni një sy gjumë kur fëmija fle. Kështu, «duke karikuar bateritë», do të keni më tepër energji për martesën. Baballarë, kurdo që është e mundur, çohuni natën që ta ushqeni ose ta ndërroni fëmijën, e kështu gruaja mund të çlodhet. Sigurojeni rregullisht gruan për dashurinë që keni për të, duke i lënë pusulla, duke i dërguar mesazhe me celular ose duke folur në telefon. Si çift, gjeni kohë që të bëni biseda vetëm për vetëm. Flitni për njëri-tjetrin, jo vetëm për fëmijën. Mbajeni të fortë miqësinë mes jush dhe do të arrini t’i kapërceni më mirë vështirësitë si prindër.

VËSHTIRËSIA 3: Nuk bini dakord si t’i rritni fëmijët.

Mbase një çift zbulon se prejardhjet e tyre mund të shkaktojnë debate. Një nënë japoneze me emrin Asami dhe burri i saj, Katsuroja, hasën këtë vështirësi. Asami thotë: «Mendoja se Katsuroja ishte shumë i butë me vajzën, ndërsa ai mendonte se unë tregohesha shumë e rreptë me të.» Si t’i shmangni këto kundërvënie?

Një çelës i suksesit: Komunikoni dhe mbështeteni njëri-tjetrin.

Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Kur është arrogant, njeriu shkakton vetëm grindje, por mençuria është me ata që këshillohen së bashku.» (Proverbat 13:10) Sa mirë e njeh pikëpamjen e bashkëshortit për rritjen e fëmijëve? Nëse pritni derisa të lindë fëmija dhe pastaj të diskutoni çështjet specifike që lidhen me rritjen e tij, mund të përfundoni duke u zënë me njëri-tjetrin, në vend që ta zgjidhni problemin me sukses.

Për shembull, çfarë përgjigjesh keni rënë dakord t’u jepni pyetjeve të mëposhtme: «Si t’i mësojmë fëmijës zakone të mira për të ngrënët dhe për fjetjen? A duhet ta marrim gjithmonë në krahë fëmijën nëse qan natën? Si duhet të reagojmë ndaj problemeve që na dalin teksa e stërvitim fëmijën të shkojë në banjë?» Është e qartë, vendimet që merrni, ndryshojnë nga vendimet e çifteve të tjera. Itani, babai i dy fëmijëve, thotë: «Është e nevojshme t’i diskutoni gjërat që të jeni në të njëjtën vijë mendimi. Kështu, së bashku do të jeni në gjendje t’u përgjigjeni nevojave të fëmijës.»

SUGJERIM: Mendo për metodat që kanë përdorur prindërit e tu për të të rritur. Vendos cilat qëndrime dhe veprime do të imitosh për të rritur fëmijën tënd. Gjithashtu, vendos cilat qëndrime dhe veprime do të shmangësh, nëse ka ndonjë. Diskutoji me burrin a gruan përfundimet që nxjerr.

Fëmija mund ta ndryshojë për mirë martesën

Ashtu si një çift patinatorësh pa përvojë ka nevojë për kohë dhe durim që të gjejë ekuilibrin në akull, edhe ju keni nevojë për kohë që t’u përshtateni roleve të reja si prindër. Megjithatë, ndërsa koha kalon, do të fitoni siguri te vetja.

Rritja e fëmijëve do të sprovojë përkushtimin në martesë dhe do ta ndryshojë përgjithmonë marrëdhënien tuaj. Gjithsesi, do të të japë mundësi edhe të zhvillosh cilësi të vyera. Nëse zbaton këshillat e mençura biblike, përvoja jote do të jetë si ajo e një babai me emrin Keneth. Ai thotë: «Rritja e fëmijëve ka ndikuar për mirë tek unë dhe te gruaja. Tani jemi më pak të përqendruar te vetja, jemi bërë më të dashur dhe më të kuptueshëm.» Sigurisht, këto lloj ndryshimesh janë të mirëpritura në martesë.

^ par. 3 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 11 Shumë nëna kalojnë momente depresioni të lehtë javët e para pas lindjes. Disa përjetojnë gjendje më serioze, i njohur si depresioni i paslindjes. Për informacione se si ta kuptosh dhe ta përballosh këtë sfidë, shih artikujt «Fitoj betejën me depresionin e paslindjes», në revistën Zgjohuni! të gushtit 2002 dhe «Të kuptojmë depresionin e paslindjes», në revistën Zgjohuni! të 8 qershorit 2003, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 19 Sipas një vepre studimi, folja hebraike e përkthyer «lidhet ngushtë» te Zanafilla 2:24, mund ‘të mbartë idenë e ngjitjes te dikush, i shtyrë nga përzemërsia dhe besnikëria’.

PYET VETEN . . .

  • Çfarë kam bërë javën e kaluar për t’i shprehur bashkëshortit ose bashkëshortes vlerësimin për gjërat që bën për familjen?
  • Kur ishte hera e fundit që lashë kohë mënjanë për një bisedë të përzemërt me burrin a gruan, e cila nuk vërtitej rreth rritjes së fëmijëve?